E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag ndeshja Gjermani-Portugali

Grupi B nuk ka vetëm një ndeshje të quajtur “të vdekjes”, pasi është i gjithi një grup i vdekjes. Gjermania do të presë Portugalinë në stadiumin e Lvivit duke e pasur mendjen më shumë tek Kristiano Ronaldo, ndonëse tradicionalisht “teutonët” kanë parë në radhë të parë vetveten. Trajneri Joakim Lëv është opak.

“Unë i kam bërë zgjedhjet e mia, ndonëse këtë javë jam menduar shumë. Jam bazuar tek stërvitjet dhe tek ndeshjet. Një trajner i merr shpejt vendimet, por deri para se të nisë ndeshje mund të ndodhin shumë gjëra. Ne do të kemi një takim me skuadrës në drekën para ndeshjes dhe aty gjithkush do të mësojë se kush do të luajë e kush jo. Ne jemi në një grup shumë të fortë, por jemi të lumtur që do të matemi me më të fortët e botës”- shprehet trajneri Lëv.

Gjermania është 3 herë kampione e Europës dhe nënkampione në fuqi, ndërsa ka dalë edhe 3 herë kampione e botës. Ambicia e kësaj skuadre është e madhe, ndërsa 4 vjet më parë gjermanët e mundën Portugalinë 3-2 në çerekfinale.

Ndërkaq, portugezët kanë mbërritur në qytetin perëndimor ukrainas të Lvivit. Skuadra “luzitane” është pretendente e fortë për të fituar titullin, duke pasur në përbërje lojtarë si Kristiano Ronaldo apo Pepe, ndonëse prova e fundit ndaj Turqisë u humb 1-3. Portugezët u pritën me bukë e kripë nga ukrainasit vendas, ndërsa shqetësimi i tyre është i madh, pasi detyra në grupin B është tepër e vështirë. Gjermania ka fituar 8 nga 16 ndeshjet mes tyre, duke pasur vetëm 3 humbje, ndërsa golaverazhi është negativ për Ronaldon me shokë: 16-24.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›