E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag skandali në komunitetin bektashi

Ilir Malindi dhe baba Mondi

Nga Mark Brunga

Shpërthejnë akuzat në Kryegjyshatën Botërore të Bektashizmit. Sipas avokatit Ilir Malindi, Baba Edmond Ibrahimi rezulton të jetë një ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Këtë fakt ai ia ka bërë prezent edhe kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Shërbimit Informativ, Bahri Shaqirit.

Por nga ajo sa denoncohet nuk është ky mëkati i vetëm i kreut të bektashinjve. Abuzimet me fondet e bamirësisë përbëjnë një tjetër akuzë të rëndë të bërë publike nga avokati në fjalë, akuzë që tani është duke u hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme. E ndërsa akuzat janë bërë publike kreu i Kryegjyshatës, Baba Edmond Ibrahimi, i ka konsideruar ato si thashetheme që nuk mbështeten në asnjë shkresë zyrtare apo në asnjë provë që të dëshmojë implikimin e tij.

Akuza e parë: Bashkëpunëtor i sigurimit

Gjatë muajit tetor bektashinjtë pritet të bekojnë në kongresin e tyre si kryetar të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Edmond Ibrahimin. Pas votimit të këshillit të klerikëve, Baba Edmondi është e vetmja kandidaturë që do ti prezantohet Kongresit. Por megjithëse Baba Mondi ka ka besimtarë që e akuzojnë si bashkëpunëtor të ish-sigurimit të shtetit. Duket se për këto akuza e marrin spunton edhe nga katapultimi i menjëhershëm dhe i papritur i Edmond Ibrahimit, nga një besimtar i thjeshtë e gjer në majat më të larta drejtuese të këtij komuniteti. Avokat Ilir Malindi, për të përforcuar akuzën e tij, i referohet edhe një orientimi, që sipas tij është lëshuar nga ish presidenti Ramiz Alia për funksionarët e Sigurimit të Shtetit. Kur u ligjërua pluralizmi në Shqipëri, mbas datës 17.12. 1991, me urdhër të ish-Presidentit Ramiz Alisa dhe Ministrit të Brendshëm, Gramoz Ruçit, u dha orientim që të kapeshin të gjitha hallkat politike dhe fetare nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, që jeta politike dhe shpirtërore të drejtohej nga Partia e Punës dhe Ramiz Alia- thuhet në letrën e avokatit Malindi. Sipas tij, këtë urdhër ka zbatuar edhe Edmond Ibrahimi, që nga një ish-ushtarak sot është bërë një nga klerikët më të lartë bektashinj. Për të vërtetuar akuzat e tij, avokati i kërkon kryeministrit Berisha dhe kreut të SHISH-it të verifikojnë figurën e Baba Edmondit.  Ne si besimtarë të bektashizmit kërkojmë nga Ju zoti Kryeminister dhe ju zoti Shaqiri që të sqarohet pastërtia e figurës së Baba Mondit, si dhe rasti i sekretarit të teqesë së Kulmakut në Tomorr, Zalo Qatos, për të cilin flitet se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit me pseudonimin ujku. Sa e vërtetë është kjo, ne kërkojmë të na sqaroni për figurën e tyre mbasi për Baba Mondin thuhet që ka patur veprimtari në favor të Sigurimit kur ishte ushtarak në Elbasan. Tashmë ai kërkon të zgjidhet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit por nëse fjalët janë të vërteta, atëhere ai duhet te largohet nga ky institucion fetar i shenjtë dhe të shikojë jetën e tij personale thuhet në letrën denoncuese të avokatit.

Akuza e dytë: Vjedhja e parave

Çdo vit në teqenë e Kulmakut, në  Malin e Tomorrit nga pelegrinazhi i besimtarëve mbidhen mbi 500 milion lekë të vjetra. Por këto të ardhura, që vijnë nga paratë e dhuratat që lënë besimtarët në këtë vend të shenjtë, askush nuk ka dijeni se ku përfundojnë. Sipas avokat Malindit, ato përfundojnë në xhepat e Baba Mondit dhe në ato të kujdestarit të kësaj teqeje, Zalo Qatos. Abuzimi me fondet që i akordohen komunitetit Bektashi në formë donacionesh përbën një akuzë të rëndë që ngre avokati Malindi në letrat drejtuar krerëve të shtetit. Vetëm në teqenë e Kulmakut në Tomorr besimtarët për çdo vit hedhin mbi 500 milion lekë të vjetra, duke u lutur për të mirat që i jep i madhërishmi Abaz Ali, por nuk dihet se ku kanë shkuar. Ndaj për mëse 10 vjet teqeja Kulmakut është lënë pa një Baba, dhe të ardhurat e saj administrohen nga kujdestari Zalo Qato së bashku me krushkun e tij, Përparim Kalemasin. Kjo është e qëllimshme, për ti lënë dorë këtyre që së bashku me Baba Mondin të vjedhin çfarë të mundin dhe si të mundin thuhet në letrën e avokatit. Një tjetër shqetësim i ngritur në denoncimin e bërë nga Ilir Malindi ka të bëjë me shkollimin e drejtuesve të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.  Sipas avokatit asnjë nga klerikët që sot janë në krye të këtij komuniteti nuk është teolog, apo të ketë studiuar në shkolla të ngritura për këtë qëllim nga Kryegjyshata. Në shumë teqe mungojnë kleriket dhe kjo vjen nga niveli jashtezakonisht i ulet organizativ i Kryegjyshatës Botërore, e cila e ka lënë Bektashizmin totalisht të çorganizuar dhe çdo gjë spontanitetit. Këto ditë është festa e madhe e ditëve të Tomorrit dhe uzurpimi që i kanë bërë Kryegjyshatës disa klerikë është nga më skandalozet, duhet të ndërhyjë Qeveria nëpërmjet Komitetit të Kulteve. Shërbimi Informativ Shtetëror  duhet të nxjerë të vërtetën mbi pastërtinë e figurës së Baba Edmondit si dhe të tjerëve që janë emëruar klerike apo në administraten e Kryegjyshatës denoncon av. Ilir Malindi.

Shekulli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›