Pragfushata, shtohen familjet me asistencë
BURREL - Megjithëse shumica e këshilltarëve të majtë dhe kryetari i bashkisë mungonin në mble-dhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak ajo është përfshirë nga debatet politike. Teksa këshilli po diskutonte për miratimin e familjeve, që përfitojnë ndihmë eko-nomike, këshilltarit të djathtë, Behar Qerimi i ka rënë në sy fakti se të gjitha familjet që kishin aplikuar për ndihmë ekonomike për muajin e radhës, sipas zyrës së ndihmës ekonomike, e meritonin atë. Ndryshe nga herët e tjera kur një numër i madh familjesh ishin larguar nga skema e përfitimit për arsye të ndryshme, këtë herë të gjithë aplikantët ishin përfshirë në projektin e administratës së bashkisë për të përfituar. Këshilltari Qerimi tha se ky fakt nuk mund të mos i binte në sy pasi çdo muaj janë larguar nga skema familje të shumta, ndërkohë për muajin maj janë pranuar të gjitha kërkesat. "A mos vallë kjo është bërë për fushatë elektorale?", shtroi pyetjen këshilltari i djathtë. Në moment ka reaguar punonjësja e ndihmës ekonomike, Shpresa Meta, e cila u shpreh se kjo nuk është bërë për fushatë, por fondi këtë muaj ka ardhur më i lartë dhe gjendja e këtyre familjeve dihet. Vetëm këtë vit numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike në Bashkinë e Burrelit është rritur me afro 300 familje. Dy vjet më parë nga 1200 familje mbetën në skemë 430 familje, ndërkohë numri i familjeve përfituese dje shënoi shifrën 735. Justifikimi për familjet e rikthyera në skemë është i ndryshëm, "plotësim dokumentacioni", "konfirmim nga KSHA Dibër", "nga asistenca", "invalid", "nga vetë-punësimi", "me banim në qytet", etj. h.p