Kapet me pasaportë false polici maqedonas
POGRADEC - Kapet me pasaportë false në kufirin e Qafë-Thanës polici maqedonas. Ljupcko Taneski, 33 vjeç, banor i Ohrit do të kalonte nëpërmjet vendit tonë për të mbërritur në Itali. Ai ka paraqitur dokumentet në pikën kufitare rreth orës 18:00 të ditës së djeshme. Sipas policisë, Taneski paraqiti në sportel një pasaportë maqedonase të rregullt, por gjatë kontrollit fizik iu gjetën dokumente të tjera, mes të cilave një pasaportë e falsifikuar bullgare. Kjo hodhi dyshimet se, i riu po tentonte të kalonte ilegalisht drejt shtetit italian. Ndaj tij u vendos masa e ndalimit në komisariatin e policisë së Pogradecit, ku do të qëndrojë deri në verifikimin e plotë të çështjes. Pas marrjes në pyetje vetë Taneski deklaroi se do të emigronte në Itali, pa treguar burimin e dokumenteve false. j.gj