Zbulohen klandestinët, rikthehet trageti
VLORE - Trageti i linjës Vlorë-Brindisi është kthyer mbrapsht dje, pasi kishte lundruar 3 milje larg ishullit të Sazanit. Shkak u bë zbulimi i 4 klandestinëve në bordin e tij. Të rinjtë e moshës nga 19-23 vjeç nga Vlora janë diktuar nga kapitaneria. Ata janë izoluar fillimisht në një prej dhomave të tragetit e më pas është njoftuar policia portale e Vlorës. Kapitaneria urdhëroi që trageti të kthehej sërish në port për të zbritur klandestinët. Kapiteni i tragetit i është bindur urdhrit dhe një orë më pas, rreth orës 13:30 mbërriti përsëri në port nga ku zbritën katër të rinjtë. Më pas trageti me të cilin udhëtonin rreth 100 persona dhe 40 mjete u rinis në Itali. Vlonjatët u morën në pyetje nga Policia Kufitare si dhe nga sektori i trafiqeve nga ku deponuan se kanë hipur në traget me ndihmën e një punonjësi të saj kundrejt shpërblimit. q.b