E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore përcakton investimet në Jug të Shqipërisë



Laureta Rryçi
Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore miratoi më 22 mars ristrukturimin e Projektit të Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit (ICZMCP). Sipas njoftimit zyrtar të Bankës Botërore, për ristrukturimin e këtij projekti u diskutua dhe u ra dakord me qeverinë shqiptare. Projekti i ristrukturuar do të mbështesë infrastrukturën më të nevojshme që lidhet me përmirësimin e kushteve të mjedisit dhe higjienës, të cilat janë shumë të rëndësishme për një zhvillim afatgjatë të bregdetit dhe turizmit. Ky ristrukturim pasqyron ndryshimet e ndodhura në mjedisin ekonomik, financiar dhe teknik që nga projekti fillestar dhe i jep zgjidhje çështjeve të hartimit dhe zbatimit të projektit që u ngritën nga Raporti i Investigimit të Panelit të Inspektimit.
Investimet
Objektivi i rishikuar i projektit është të ndihmojë qeverinë shqiptare në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Bregdetin e Jugut duke përmirësuar infrastrukturën kryesore publike mjedisore dhe shërbimet e pushtetit vendor. Në mënyrë më specifike, Projekti do të vazhdojë të mbështesë investimet për: (I) pastrimin e mbetjeve të rrezikshme në Porto Romano; (II) ndërtimin e një hapësire për mbetjet e ngurta për bashkinë e Sarandës dhe një stacioni transferimi në Himarë në mbështetje të menaxhimit të përmirësuar të mbetjeve të ngurta; (III) rikonstruksionin e portit të Sarandës për të mundësuar hyrjen e trageteve për pasagjerë në Bregdetin e Jugut; (IV) sistemin e ujësjellës-kanalizimeve në qytetin e Sarandës; (v) investimet me bazë komunitetin në fshatrat e Bregdetit; dhe (VI) menaxhimin e zonave të mbrojtura të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Ministritë
Projekti i ristrukturuar do të zbatohet nën përgjegjësinë direkte të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Kostoja totale fillestare e projektit ishte 38.5 milionë dollarë. Ajo përfshin, 17.5 milionë dollarë nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), 2.23 milionë dollarë nga një grant i qeverisë japoneze, 3.11 milionë dollarë nga një grant i qeverisë holandeze, 2.6 milionë dollarë nga një grant qeverisë austriake, 0.95 milionë dollarë nga Fondi Global për Mjedisin (GEF), 5.7 milionë dollarë nga qeveria shqiptare 1.26 milionë nga kontribute të komunitetit lokal. Afërsisht 23 për qind të fondeve totale të projektit të financuara nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) janë disbursuar deri tani. Një grant i Komisionit Europian, me një disbursim total prej 1.8 milionë dollarësh, u mbyll në 30 qershor 2009.

Gjykata Kushtetuese, nga dje me një gjyqtar më pak

Gjykata Kushtetuese shpalli dje zyrtarisht përfundimin e mandatit të një prej gjyqtarëve të kësaj gjykate, Kujtim Puto. Ashtu siç e parashikon dhe procedura, me një vendim të posaçëm u njoh dje mbarimi i mandatit duke i lënë një tjetër përgjegjësi Presidentit për zëvendësimin e Putos. Në ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit bëhet nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit emëron një gjyqtar të ri brenda një muaji, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.

Gjykata e dënon me 5 vite burg, shtyu gruan në vetëvrasje
Vetëvrasja e bashkëshortes i ka kushtuar pesë vite burg. Gjyqtari Bujar Krasniqi deklaroi fajtor dhe dënoi dje me 5 vjet burg të pandehurin Petrit Goga, akuzuar për “shkaktim të vetëvrasjes”. Tre vjet pasi gruaja e tij Mimoza u gjet e mbytur në pus nga familjarët, në dosje shënohet një shkak. Petrit Goga, 31 vjeç, është përballur në gjykatë me akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes” së bashkëshortes së tij Mimoza Goga më 4 maj të vitit 2007. Pasi u hetua në gjykatë, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 4 vjet burg. Por gjykata në përfundim e konsideroi faktin të rëndë duke i shtuar edh enjë vit burg të pandehurit. Ndërkohë që ky i fundit e ka mohuar akuzën, duke deklaruar se nuk ka gisht në mbytjen e gruas edhe pse disa herë kanë bërë debate në familje. Dosja, në fjalë është mbyllur një herë nga akuza dhe më pas me këmbënguljen e familjarëve është rihapur sërish. Për të gjetur të vërtetën familjarët i janë drejtuar disa herë gjykatës. Ata nuk e besonin se vajza e tyre ishte vetëvrarë duke lënë pas dy fëmijë jetimë, të cilët, ndonëse të vegjël, kishin parë gjithçka. Ndërsa ngjarja tragjike ndodhi në vitin 2007, bashkëshorti i qetë qëndronte me dy fëmijët, duke u mjaftuar me një vendim të prokurorisë për ta quajtur vetëvrasje.

3 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›