E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesi,Ushtaraku i Lartë: Deri në maj, në Gërdec bëheshin punimet pa urdhër me shkrim



Laureta Rryçi

Ushtarakët vazhdojnë të konfirmojnë faktin se punimet në Gërdec për ndërtimin e fabrikës kanë vijuar për javë me radhë pa pasur një urdhër me shkrim. Në seancën e radhës në procesin e Gërdecit që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës dëshmoi Shefi i Shtabit të Brigadës të Mbrojtjes Ajrore në Selitë, Mehmet Merko. Këtij të fundit i është përmendur emri nga dëshmitarët që kanë dëshmuar në seancat e fundit në këtë proces duke e cilësuar si një nga ushtarakët e lartë që ka marrë i pari informacionin se dy punonjës të një kompanie private kanë mbërritur në repart për të bërë punimet. Merko i qëndroi dje të njëjtës linjë duke shpjeguar edhe një herë zinxhirin si kishte shkruar informacioni për punimet në Gërdec. Merkos i janë bërë pyetje nga palët në proces, por ai ka ripërsëritur disa herë në sallën e gjyqit se kishte lejuar punimet vetëm kur ka marrë urdhër nga eprorët e tij. Në seancën e djeshme dëshmuan dhe dy ish-ushtarakë që kanë qenë të komanduar si roje në repartin e Gërdecit. Dalip Kau dhe Nazmi Shera dëshmuan për ato pak ditë që kishin ruajtur ish-repartin e Gërdecit.
Dëshmia e Mehmet Merkos
“Në periudhën prill- maj kam qenë shef i shtabit të brigadës të mbrojtjes ajrore në Selitë. Deri në 14 maj kam qenë shef tek ish-reparti në Gërdec, e cila ishte vetëm një pronë në ruajtje. Ruajtja e saj ishte në varësi të batalionit të raketave Maminas.
Në atë kohë nuk kishte komandant dhe unë isha autoriteti më i lartë. Ka qenë 28 prill dhe unë u vura në dijeni nga Hasim Selmani se në Gërdec ka ardhur një grup punëtorësh, të cilët kërkojnë të ndërtojnë një objekt. I dhashë urdhër Selmanit që të mos lejonte që të futej njeri në repart, pasi asnjëri prej tyre nuk ishin të pajisur me urdhër me shkrim. Më pas bisedova në telefon me eprorin Astrit Jaupi, dhe i bëra të qartë situatën konkrete. Nga ana e tij mu tha se nuk dinte gjë për këtë problem. Gjithashtu më tha se do të fliste në telefon me eprorët e tij.
Kam marrë vesh se nga ana e firmës së ndërtimit është pretenduar ekzistenca e një urdhri, por nuk kishte gjë. Pas 35 minutash më ka komunikuar në celular dhe më tha që të lejohet hyrja deri ditën e hënë, pasi do vinte urdhri me shkrim. Urdhri nuk erdhi ditën e hënë dhe për ditë me radhë kam qenë në pritje. Më kanë informuar se ditën e hënë grupi i punëtorëve po vazhdonte punën për piketimin e objektit. Kërkova nja informacion me shkrim
dhe me datën 10 maj 2007 i kam kërkuar Astrit Jaupit kërkesë për ardhjen e urdhrit me shkrim. Gjatë kësaj kohe, pra para datës 10 maj urdhërova ndërprerjen e punimeve të firmës, pasi sërish mungonte urdhri me shkrim. Nuk e di nëse u zbatua urdhri. Por me datë 14 jam shkëputur dhe nuk di gjë se çfarë u bë dhe as se cila firmë kryente punë.”-përfundoi dëshmia e Merkos.

Dëshmia dje në Gjykatë

Shpëtim Spahiu

Është e vërtetë që më ka telefonuar komandanti i Detashtemit provizor Zenel Kuçani. Kam urdhëruar që të shkojë edhe policia ushtarake për të analizuar një ngjarje mes firmës private dhe një nënoficeri. Në bisedë e sipër Zenel Kuçani më ka thënë se “me Gërdecin si komandant kam probleme. Ndërmarrja Meico e lë municionin jashtë tokës së marrë me qira”. I thashë nëse është kështu do merrem nesër dhe do të kthej përgjigje. Të nesërmen kam shkuar në Ministri, takova Ylli Pinarin dhe i shtrova problemin. Me fillimin e Gërdecit, Ylli Pinari ka iniciuar një akt marrëveshje për ruajtjen e ish-repartit të Gërdecit, pasi në urdhrin 550 të Ministrit të Mbrojtjes përcaktohej se kush do ta ruante ish-fabrikën e demontimit. Ne ramë dakord të bënim një akt marrëveshje, Meico merr përsipër për të bërë ruajtjen e fabrikës. Që nga viti 1994 ndërmarrja Meico operonte falë një praktike dhe me urdhër të Ministrisë së Brendshme janë vendosur kontinier municionesh, që ishin afër portit, për të bërë transportim sa më të shpejtë. Asnjëherë nuk qenë marrë me qira, përveç rastit të fabrikës së Gërdecin nga ana e Meicos objekte, pasi ajo funksiononte brenda sistemit të Forcave të Armatosura. Drejtori i Meicos më tha që nuk është rasti i parë. Përgjigjja ime ishte meqë është operuar një firmë private, këtu ndahemi, ju duhet të merrni Gërdecin meqë ju lini municionin jashtë tokës së marrë me qira. Ylli Pinari nuk pranoi. Në ato momente urdhërova një vartësin tim të çonin një grup me ushtarë në Gërdec dhe të mos lejohej njeri që të hynte në repart. Në të tilla kushte vetë Pinari më tha që më lë dy ditë kohë që të nxjerr një urdhër. Më ka telefonuar Ministri i Mbrojtjes duke më thënë se kam Ylli Pinarin këtu për kalimin e Gërdecit tek Meico, ku edhe kam firmosur. Dua të shtoj diçka se për ruajtjen e pronës, ajo bëhej nga personi që e ka marrë në administrim. Tre ditë më pas kam bërë kalimin e pronës tek Meico, pas nënshkrimit. Ruajtjen e ka pasur Meico, pas marrjes së administrimit.

Dëshmia dje në Gjykatë
Zenel Kuçani
Kam punuar në Forcat e Armatosura nga viti 1979 deri në 2008, ku dola në reformë. Më datën 1 korrik të vitit 2007 deri në 2008 kam qenë si Komandant i Detashmenit. Në inventarin e objekteve që kishim në varësi ishte edhe ish-reparti i Gërdecit. Shërbimi i rojes ka qenë me ushtarakë profesionistë dhe nënoficerë. Detyra dhe shërbimi i tyre ka qenë që të ruhej prona , moslejimi i banorëve, mosshkatërrim i objekteve. Në këtë objekt kam qenë tre herë gjatë kohës që kam qenë komandant. Hera e parë ku është marrë objekti, ka qenë java e parë e korrikut 2007. Vartësit e mi më raportuan për gjendjen. Firma Meico po ngrinte një objekt për demontimin municioneve. Vajta dhe konstatova që vazhdonte puna për objektin e demontimit. Si dokumentacion kam gjetur kontratën e Komandës së Bashkuar me Meicon, si dhe një kontratë qiraje. Kontrata që për 200 metra katrorë dhe për një objekt 60 metra katrorë. Ishte në krahun e djathtë të Gërdecit. Nuk isha i interesuar për të matur sipërfaqen. Meico nuk qe e re për ne. Kur kam shkuar në vendngjarje qenë prishur disa objekte. Kam dhënë urdhër që të fotografoheshin objektet ekzistuese. Nuk kisha asnjë shqetësim se vartësit kishin kontaktuar me eprorët qe qenë para meje. Kam pasqyruar gjendjen e objekteve që do të ruhej si më parë përveç pjesës që ishte marrë nga firma. Shërbimi ka vazhduar deri nga fundi i dhjetorit. Zylyftar Hatellari më tha që ka pasur probleme me fishekët. Të nesërmen shkova vetë dhe kontaktova me Dritan Minxhollin që shprehte pakënaqësi për një fishek. Kam marrë në telefon gjeneral Shpëtim Spahiun, duke i thënë se në Gërdec ose duhet ta marrim ne ose ta dorëzojmë komplet. Më tha se merrem me këtë punë, pa kaluar asnjë javë problemi u zgjidh. Doli urdhri i ministrit i Komandës së Bashkuar, të Komandës së Forcave Ajrore për objektin e Gërdecit, i cili i kalonte Meicos.

3 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›