E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i shumëkërkuari për vrasjen e trefishtë



TIRANË – Pranga të shumëkërkuarit Murat Nezha, vrau vjehrrin, vjehrrën dhe bashkëshorten 9 vite më parë. Policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me forcat RENEA, kanë bërë të mundur ditën e djeshme arrestimin e 33-vjeçarit, mbi të cilin rëndon një dënim me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Kavajës për vrasjen e trefishtë. Në orët e para të mëngjesit, forca të shumta policie kanë rrethuar banesën e tij pranë Institutit Bujqësor në Kamzë dhe i kanë bërë thirrje Nezhës për t’u dorëzuar. Negociatat me të kërkuarin kanë vazhduar për rreth 30 minuta dhe më pas ai është vënë në pranga nga forcat RENEA. Ndërkaq, burime të Policisë bëjnë të ditur se Murat Nezha njihet si person me rrezikshmëri të lartë, pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të trefishtë. Prej kohësh, uniformat blu kishin rënë në gjurmët e Murat Nezhës, por vetëm ditën e djeshëm është bërë i mundur arrestimi i tij në ambientet e banesës, ku ndodhej bashkë me bashkëshorten e tij të dytë dhe me fëmijët.

3 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›