E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prammer: Reforma në drejtësi, kyçe për integrimin

Ajo iu drejtua edhe me një fjalë deputetëve shqiptarë. “Ne do t’iu mbështesim në çdo hap drejt rrugëtimit tuaj në familjen evropiane. Evropa nuk është e kompletuar pa vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky nuk është një proces i lehtë dhe kërkon kohën e tij por ju keni bërë arritje dhe këto arritje janë të dukshme” u shpreh Prammer, gjatë një konference shtypi me homologen shqiptare Jozefina Topalli.

Ndërkohë, në fjalën e saj në Parlament, kryeparlamentarja austriake e vlerësoi si mjaft të rëndësishme reformën në drejtësi. "Reforma në drejtësi është me rëndësi për integrimin e vendit tuaj. Austria mbështet marrjen e statusit dhe çeljes e anëtarësimit të Shqipëri. 12 kriteret janë kusht dhe prandaj reforma në drejtësi është një pikë kyçe dhe duhet të bëhet një punë bindëse. Shqipëria duhet të tregojë përpjekjet e saj për të realizuar reformat. Në këtë kohë BE-ja ka nevojë për aspirues të plotë dhe të besueshëm dhe reformat janë rruga e vetme për të arritur një besueshmëri", tha Prammer.

Gjatë bisedës, dy homologet vlerësuan bashkëpunimin dhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy parlamenteve, si dhe ato politike, ekonomike, e veçanërisht në fushën e arsimit dhe kulturës. Kryetarja e Kuvendit njohu homologen e saj me reformat e rëndësishme që Parlamenti ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe në funksion të objektivit kombëtar të shqiptarëve, integrimin në Bashkimin Evropian.

Duke theksuar se Shqipëria pret në javët në vijim opinionin e Komisionit Evropian në lidhje me marrjen e statusit kandidat, Kryetarja Topalli kërkoi mbështetjen e Austrisë në këtë drejtim, ndërsa theksoi se ky duhet të jetë një proces i bazuar në arritje dhe meritë. Ndër të tjera gjatë takimit u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si dhe toleranca dhe harmonia fetare, ku Shqipëria është një vend model në botë. /Start/

                                                                                             2012-09-17 15:29
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›