E Diel, 1 Nëntor 2026

Prammer: Si gjithmonë, Austria do jetë mbështetëse e fuqishme e rrugës së Shqipërisë për kthimin në Evropë

18-09-2012 / Gazeta 55

Kryetarja e Parlamentit e Austrisë në një seancë të veçantë në Kuvendin e Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë mbajti dje një seancë të veçantë në nder të kryeparlamentares të Austrisë, Barbara Prammer, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në fjalën e saj para deputetëve, Prammer ka vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Një rëndësi të veçantë ajo i ka kushtuar procesit të integrimit të vendit, duke kërkuar nga deputetët miratimin e reformave për vendin dhe jo për interesa politikë. “Dhënia sa më e shpejtë e statusit të kandidatit dhe nisja e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian është në interesin e dy shteteve, Austrisë dhe Shqipërisë. Kushti paraprak për këtë është përmbushja e 12 prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Europian në një mase të përcaktuar kritike. Ne mendojmë, që në lidhje me këtë sukseset në reformën e drejtësisë janë pikat më kyçe. Ky qëllim i përbashkët kërkon të kryejmë një punë bindëse në lidhje me Bashkimin Europian dhe të veprojmë kundër plogështisë së zgjerimit. Por nga ana tjetër për ti theksuar këto përpjekje Shqipëria duhet të jetë më këmbëngulëse në lidhje me reformat. Sukseset e qëndrueshme të reformave do i lehtësonin në mënyrë të ndjeshme miqve të Shqipërisë si Austria të ndërhynin në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Europian përmes shtimit të Shteteve të Europës Juglindore. Pikërisht në një kohë kur Bashkimi Europian ndodhet para sfidave të mëdha ekzistenciale, ka nevojë për kandidatë të fortë dhe të besueshëm. Reforma të ndershme, të qëndrueshme, edhe pse ndonjëherë pa dyshim të dhimbshme, janë rruga e vetme për të arritur një besueshmëri të qëndrueshme”, deklaroi Prammer para ligjvënësve shqiptar.
Prammer ka vlerësuar përparimin e bërë nga Shqipëria gjatë dy dekadave të fundit dhe ka shprehur mbështetjen e Austrisë për hapat e mëtejshme  të integrimit Europian duke inkurajuar  për reforma në sistemin e drejtësisë .  “Shqipëria ka përjetuar arritje enorme që nga çlirimi i saj nga një diktaturë totalitare në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Pasi ajo shpëtoi nga kthetrat e njërës nga diktaturat më të tmerrshme të historisë, vendi u katapultua në shekullin e 21-të. Vetëm pas 20 vitesh tranzicion ajo po troket në dyert e Bashkimit Europian. Ky është një qëllim ambicioz, që i ka vënë vetes Shqipëria dhe për këtë arsye vendi Juaj meriton një vlerësim dhe një respekt të madh. Austria dhe Bashkimi Europian ofrojnë udhëzimin dhe ndihmën e tyre në lidhje me këtë nismë. Austria do të mbështesë Shqipërinë fuqimisht në këtë rrugë”, vijoi ajo.
Ndërkohë që më herët, në një konferencë me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Prammer ka konfirmuar ardhjen e armëve të Skënderbeut në Shqipëri, në prag të jubileut të 100 vjetorit te Pavarësisë së Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit njohu homologen e saj me reformat e rëndësishme që Parlamenti ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe në funksion të objektivit kombëtar të shqiptarëve, integrimin në Bashkimin Europian. Duke theksuar se Shqipëria pret në javët në vijim opinionin e Komisionit Europian në lidhje me marrjen e statusit kandidat, Kryetarja Jozefina Topalli kërkoi mbështetjen e Austrisë në këtë drejtim, ndërsa theksoi se ky duhet të jetë një proces i bazuar në arritje dhe meritë. Nga ana e saj, Znj Barbara Prammer rka theksuar se një nga pikat kyçe për integrimin e vendit është reforma në drejtësi.
“Reforma në drejtësi është me rëndësi për integrimin e vendit tuaj . Austria mbështet marrjen e statusit dhe çeljes e anëtarësimit të Shqipëri. 12 kriteret janë kusht dhe prandaj reforma në drejtësi është një pikë kyçe dhe duhet të bëhet një punë bindëse. Shqipëria duhet të tregojë përpjekjet e saj për të realizuar reformat. Në këtë kohë BE-ja ka nevojë për aspirues të plotë dhe të besueshëm dhe reformat janë rruga e vetme për të arritur një besueshmëri. Në Austri aftësia e gatishmërisë për kompromis është konstatuar si premisa kryesore me suksesin e Republikës së Dytë. Dy kampet e mëdha politike e kuptuan si mund të zgjidhen konfliktet parlamentare, ato gjetën kompromis për të gjetur zgjidhje. Kompromisi politik dhe stabiliteti i palëve ka ndihmuar në sukesin e vendit tim. Shpresoj që Shqipëria të çmojë aftësinë për kompromis. Parmalenti juaj në rrugën drejt BE i takon rol i rëndësishëm, ju uroj fat, kurajo dhe gatishmëri për kompromis ” theksoi ajo.
Berisha: “Po finalizohen procedurat për ardhjen e armëve të Skënderbeut në Shqipëri”/Austria është drejt finalizimit të procedurave për dërgimin e armëve të Heroit Kombëtar, Skënderbeu në Shqipëri. Konfirmimi është bërë nga Kryetarja e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer gjatë takimit të zhvilluar sot me kryeministrin Sali Berisha.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vizitë si një kontribut të jashtëzakonshëm në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe miqësisë tradicionale midis dy popujve dhe kombeve tona. Kryeministri Berisha i shprehu Prammer mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar e bujare që Austria mike i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në të gjitha përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor, integrimin në NATO, e tashmë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Në takim u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve për të intensifikuar e zgjeruar bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm, në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e falënderoi zonjën Prammer, për një sërë projektesh të suksesshme bashkëpunimi  me Austrinë mike, si në fushën e arsimit, kulturës, dixhitalizimit të Regjistrit Civil, etj. Duke u ndalur tek interesi  i jashtëzakonshëm i investitorëve austriakë për të investuar në Shqipëri, Kryeministri Berisha e siguroi Kryeparlamentaren austriake se qeveria shqiptare ka krijuar klimën më të favorshme  për biznes e investimet në vend dhe se investitorët austriakë do të gjejnë te qeveria shqiptare partneren e vendosur e të përkushtuar, në mënyrë që investimet e tyre të shndërrohen në histori suksesi për ata dhe për Shqipërinë.  Në këtë kontekst, në takim u vlerësua si një projekt realisht i suksesshëm dhe një arritje e jashtëzakonshme inaugurimi  që do të bëhet nesër, i hidrocentralit të Ashtës, e cila përbën një shembull brilant të bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve. Në këtë kontekst, zonja Prammer e siguroi Kryeministrin  Berisha se do të vijojë të nxisë biznesin austriak për të investuar në Shqipëri. Në veçanti, në takim u vlerësua historia e suksesit të shkollës austriake që funksionon prej vitesh në Shkodër, e cila është një ndër vetëm 7 shkollat që Austria ka promovuar në mbarë botën, si dhe u ritheksua dëshira për ta zgjeruar këtë bashkëpunim edhe në qytete të tjera.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›