E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prandeli zgjedh të mbrohet ndaj Anglisë

Italia largon gazetarët, 2 seanca në ditë për çerekfinalen. Çezare Prandeli duket se i ka shuar dyshimet e tij në lidhje me skemën që do të përballojë Anglinë. Ai zgjedh më shumë kujdes në mbrojtje dhe kundërsulmin, pra një Itali me stilin e saj të vjetër të lojës. Në këtë çerekfinale, të kaltrit do të luajnë me skemën 4-3-1-2, me të cilën arritën të mundin Irlandën. Por, nëse trajneri i katër herë kampionëve të botës është i bindur për taktikën e lojës, tashmë dyshimet e tij të mëdha janë në përzgjedhjen e futbollistëve që do të formojnë ekipin. Me skemën 4-3-1-2, De Rosi do të konfirmohet në mesfushë, ndërkohë që qendra e mbrojtjes do të formohet nga Bonuçi dhe Barzalji. Në krahun e majtë, Balzareti do mundohet të përsërisë paraqitjen e shkëlqyer me Irlandën, ndërkohë që në të djathtë rikthehet Maxho, i cili ul në stol milanistin Abate. Ndërkohë mesfusha, përveç De Rosit, sheh të paprekshmit Pirlo dhe Markizio, ndërsa për lojtarin që do të luajë prapa dy sulmuesve Baloteli dhe Kasano në avantazh të madh është Diamanti. Fantazisti i Bolonjës pritet të ulë në stol Tiago Motën, edhe pse nuk përjashtohet surpriza Montolivo, shumë i motivuar në ditën e djeshme të stërvitjes. Sakaq, pas dëmtimit të Kielinit, në kampin axurr është mbajtur i fshehur për dy ditë fakti i problemeve fizike që kishin Andrea Barzalji dhe Tiago Mota. Të dy këta kishin një lodhje muskulore, e cila fillimisht u mendua si një tërheqje e radhës për sa i përket mbrojtësit juventin. Por dje, frika ka kaluar totalisht.

Shevçenko
Pas eliminimit të Ukrainës, Shevçenko shprehet se do mbështesë Italinë. Më vjen keq që u eliminuam, edhe pse luftuam deri në fund. Megjithatë, tifozët tanë na kanë kuptuar dhe përgëzuar për atë që dhamë në fushë. Tashmë unë jam i qetë dhe do të shijoj sfidën mes Anglisë dhe Italisë. Sigurisht që kam miq te të dyja kombëtaret, por zëmra ime mbetet me Italinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›