Paulo Bento: Dominuam, në gjysmëfinale me meritë
Trajneri i Portugalisë: Në 20-25 minutat e para patëm vështirësi, por më pas e dominuam ndeshjen në çdo aspekt. Në gjysmëfinale nuk kam preferenca mes Spanjës dhe Francës.
Paulo Bento feston arritjen në çerekfinalen e Euro 2012, pas fitores 1-0 ndaj Çekisë, mbrëmë në Varshavë. Ja cila ka qenë intervista e trajnerit portugez, menjëherë pas ndeshjes së djeshme…
Portugalia dhe Ronaldo vuajtën në 25 minutat e para. Kur Kristiano ndryshoi pozicionin në fushë, gjërat u përmirësuan…
Kristiano Ronaldo ka cilësitë e duhura për të luajtur në çdo pozicion. Në 25 minutat e para patëm vështirësi, sepse edhe çekët po bënin lojën e tyre. Ne u treguam shumë të aftë në mbrojtje dhe pastaj e dominuam ndeshjen totalisht. E merituam plotësisht kualifikimin në gjysmëfinale.
Si do ta analizonit ndeshjen e djeshme?
Unë mund të them vetëm këtë: Nuk e nisëm ndeshjen mirë, sidomos në sulm, sepse nuk ishim shumë efikas në kontrollin e topit gjatë gjysmës së parë të 45-minutëshit të parë. E rritëm ndjeshëm ritmin e lojës me kalimin e minutave. Dominuam totalisht pjesën e dytë dhe është shumë e rëndësishme, që kur dominon ndeshjet, të konkretizosh. Në pjesën e dytë krijuam disa raste dhe përfituam. Çekët kishin bërë një ditë pushim më shumë sesa ne, por kjo nuk u ndje. I dinim vështirësitë me të cilat do të ndesheshim. Luajtëm dy ndeshje në Ukrainë, tani jemi në Poloni, ndërsa gjysmëfinalen do ta luajmë në Donjeck.
Si ka mundësi që loja ndryshoi kaq shumë në 45 minutat e dyta?
I kërkova lojtarëve të krijonin sa më shumë raste. I kujtova atyre se kishim krijuar një mal me raste në ndeshjet me grupe. Faktikisht prisnim që çekët të luanin futboll, por kur e pamë se mendonin vetëm për tu mbrojtur, patëm më shumë besim te vetja. Në mbrojtje ishin të shkëlqyer. Po e përsëris, me përjashtim të 25 minutave të para, më pëlqeu gjithçka që bëri skuadra ime. Treguam se jemi në formë.
Çekia bëri vetëm një goditje në kuadrat gjatë 90 minutave. Jeni i habitur nga sjellja e tyre?
E kishim analizuar Çekinë dhe e dinim që do të ndiqte këtë strategji. Fakti që nuk na kundërsulmuan është padyshim meritë e gjithë ekipit tonë. Kur shkonim në gjysmëfushën e tyre, qëndronim për minuta të tëra. Çekët kanë futbollistë të aftë teknikisht dhe shumë të shpejtë në sulm, por ne i kontrolluam.
Cilin kundërshtar do të preferonit në gjysmëfinale, Spanjën apo Francën?
Spanja apo Franca nuk ka shumë rendësi. Ne do të zbresim në fushën e lojës për të fituar. Në gjysmëfinalet e një veprimtarie si kjo, shkojnë gjithmonë ekipe të mëdha dhe të organizuara mirë. Janë të ndryshme nga njëra-tjetra, por shumë të vështira për tu mundur dhe me futbollistë cilësorë. Nuk kam preferenca, ne do të punojmë për të shkuar në finale.
E gjithë bota e kuptoi përse Ronaldo vlen 100 milionë euro, aq sa pagoi Reali për ta marrë nga Mançester Junajtid…
Nuk dua të flas më për individët, të paktën deri në fund të Euro 2012.