Sherr gjelash, Nasri tenton të largohet
Plasin polemikat te Franca, debatet mes lojtarëve dhe trajnerit.
Përplasje mes Ben Arfasë, Diarrasë, Nasrisë dhe Blank.
Te Franca janë të shqetësuar se sherri i nisur në dhomat e zhveshjes mund të shkaktojë tërmet në kombëtare. Të gji-thë i frikësohen situatës si në Kampionatin Botëror. Gazeta e njohur franceze LEquipe ka zbardhur përplasjet brenda dhomave të zhveshjes. Tekniku i ekipit, Loran Blank, shprehet se tashmë gjithçka ka mbaruar, edhe pse frika për thellimin e sherrit është ende e madhe. Pas ndeshjes me Suedinë, trajneri u fut në dhomat e zhveshjes dhe pa Nasrinë duke folur në telefon. Nuk është normale që ti telefonosh familjarëve të tu në dhomat e zhveshjes, i tha tekniku francez. Duket se kjo nuk i pëlqeu aspak futbollistit të Sitit, i cili shprehu pakënaqësinë e tij. Ndërkohë Blank e kritikoi edhe për paraqitjen jo të mirë në fushë, në humbjen ndaj Suedisë. Kritika ndërkohë pati edhe ndaj mbrojtësit Filip Mekses, që u ndëshkua me karton të verdhë dhe nuk do të jetë në sfidën e vështirë ndaj Spanjës. E ndërsa tonet po bëheshin më të ashpra, ndërhyn kapiteni i ekipit, Alu Diarra. Ai nis që të kritikojë disa prej futbollistëve për paraqitjen negative të tyre. Disa lojtarë nuk kanë dhënë maksimumin e tyre në fushë. Kjo nuk është normale që të ndodhë, bërtiti Diarra. Më pas ai kritikoi edhe Nasrinë se duhej të mendonte edhe për mbrojtjen, e jo të ishte i përqendruar në aksionet sulmuese. Por reagimi paksa prepotent i Nasrisë bëri që ai ti thoshte butësisht: Që të ishe më i sjellshëm. Por, një përplasje e fortë më pas ndodhi midis Hatem Ben Arfas dhe teknikut të Les Blues. Lojtari i Njukasëllit i kërkoi llogari numrit një të stolit francez për ndërrimin. Nuk e kuptova ndërrimin, pasi nuk kishte alternativë më të mirë se sa mua, i tha ai Blankut. Ky i fundit i argumentoi se vendosi të hidhte në fushë Maludanë, si një lojtar me shumë eksperiencë. Këtu ndërhyn Nasri e të dy lojtarët nisin që të debatojnë e të akuzojnë sërish njëri-tjetrin. Ben Arfa i kërkoi llogari lojtarit të Sitit për paraqitjen e dobët. Ky i fundit, i prekur nga fjalët e thëna, i tha teknikut: Nëse mendoni se i bëj gjërat keq, atëherë më dërgo në shtëpi. Ndërkohë mbrojtësi Lorent Koshielni pohoi një ditë: E dinim që nuk kishim bërë më të mirën tonë dhe kur u ritakuam kjo gjë shikohej në sytë tanë. Humbja na inatosi të gjithëve, pasi u prek krenaria jonë. Por, gjithçka u mbyll aty dhe se nuk do të ketë më probleme në të ardhmen. Disa gjëra që ndodhin duhet ti mbajmë për vete. Ndërkohë më shumë gjelat i frikësohen faktit se lojtarët mund të mbajnë mëri ndaj njëri-tjetrit dhe kjo do të ndikojë te çerekfinalja ndaj Spanjës.
Maluda: Dhoma e zhveshjes po shpërthente
Mesfushori i Francës, Florent Maluda, nuk ka dashur të komentojë në media konfliktin brenda grupit, pasi nuk dinte çfarë të thoshte. Ai ka qenë pjesë e skuadrës edhe në vitin 2010, ku lojtarët e kombëtares bënë grevë e dështuan në Botëror. Situata u bë aq e nxehtë, sa mund të plaste gjithçka. Janë disa gjëra që duhet të shmangen dhe ndonjëherë me një koment që mund të bësh, mund ta dëmtosh tjetrin. Kur pashë këtë ngjarje u zgjuan te unë disa demonë të së kaluarës. Maluda ka frikë se nëse ekipi spërmirësohet, atëherë mund të shkatërrohet nga Spanja.Bogosian: Sherri në skuadër, si në një çift
Zv.trajneri i Francës, Alan Bogosian, shprehet se pas sherrit në kombëtare, tani gjithçka i është kthyer normalitetit. Pas një humbjeje, është normale që djemtë të jenë nervozë. E këto janë reagime pozitive. Aktualisht gjithçka është sqaruar. Pasi lojtarët bënë një dush të ftohtë, e pasi hoqën dëshpërimin nga vetja, u mblodhëm për të analizuar se çfarë ndodhi. Kjo situatë është njësoj si në një çift, mes burrit dhe gruas, ku nëse nuk arrihet që të flitet, gjërat rrezikojnë që të përkeqësohen. Ndërkohë mendoj se do jetë e vështirë me spanjollët.Debushi: Jemi superiorë, e mundim Spanjën
Mbrojtësi Mathju Debushi siguroi se Franca do ta mundë Spanjën. Jam i sigurt se ne mund ta eliminojmë Spanjën. Ata janë një ekip i fortë, me lojtarë të mëdhenj, por çelësi i suksesit është që mos ti lëmë ata të mbajnë topin. Na duhet të jemi të qetë e të krijojmë hapësira në mënyrë që ti godasim, tha futbollisti francez. Ai theksoi se pas humbjes me Suedinë duhet të vijë një rezultat pozitiv. Nuk bëmë një lojë të mirë me suedezët, por kemi mundësi që ti rregullojmë gjërat. Ajo që ka më shumë rëndësi për ne është që të luajmë në gjysmëfinale, tha lojtari.
LEONARD KARAJ