Spiuni gjerman trondit Greqinë, çmenden mediat
Reporteri i Bild, kali i Trojës në hotelin e helenëve.
Teksa mediat dhe disa lojtarë grekë lëshonin vrer kundrejt gjermanëve, për shkak të konfliktit ekonomiko-politik mes tyre, tabloidi gjerman Bild ka punuar pas krahëve të Kombëtares greke. Një reporter i Bild ka bërë agjentin 007 në hotelin ku ishin akomoduar helenët, duke spiunuar çdo veprim të tyre. Ai është cilësuar si kali i Trojës. Unë, reporteri i Bild spiunova grekët, kundërshtarët tanë ditën e premte dhe ndihem si agjenti 007. Ata banojnë në hotelin me katër yje Varszavianska, 38 kilometra nga Varshava. Këtu përgatitet Kombëtarja greke, por këtu banova edhe unë, si reporter trojan deri ditën e martë, duke i parë në stërvitje, duke pirë kafe, duke kënduar… Dhoma ime dopio kushtoi 93 euro nata. Fqinji im i ri ishte trajneri i Greqisë, Fernando Santos. Prej këtu shihja se si Santos pinte cigare, dhe si ai trajtonte skemat me kolegun e tij në muhabete kafenesh. Por, një detaj tjetër është se në pauzën e pjesës së parë ai pi duhan në pankinë. Këtë ma ka thënë një informator grek dhe puroja apo cigaret e tij janë portugeze, edhe pse grekët mbahen për duhanin e tyre. Por, për lojtarët grekë nuk e di se çfarë heq ekspresi dhe frapeja. Teksa u ula në hollin e hotelit për ti spiunuar, pashë tre futbollistë me celularë nëpër duar, të veshur bardheblu dhe me mjekër të parruar. Në fakt, e lënë me ditë të tëra, të duken si profetë, dhe më pas kur marrin valixhet rruhen për të qenë të pastër. Për një moment shoh Teofanis Gekas. Ai dëgjonte muzikë në iPhone-n e tij. Me telefonin tim bëja foto, por papritur më vjen një truproje. Ai donte të dinte se cili isha unë. E përcolla me mjeshtëri në heshtje. Po bëja kujdes dhe më pas dëgjova disa të bërtitura në oborr. Vrapova atje, kur shoh Jorgos Karagunisin. Ai bërtet duke ia ngritur zërin celularit të tij, por një në dy fjalë ishte fjala malaka (legen, dreq, m..). Por, kapiteni pak rëndësi ka, pasi nuk do luajë ndaj nesh. Në mbrëmje spostoheshin te parku. Shoh, Jorgos Samaras, bukuroshi flokëgjatë që flokët i ngrin me xhel këpucësh. Konkluzioni im është: këtë donin grekët. Ata shëtisin duke ia hedhur dorën në qafë njëri-tjetrit, flasin dhe qeshin shumë, ndërsa natën rrinë deri në orën 1:00. Meqë e paskan marrë kaq seriozisht, tani nuk duhet ti zërë gjumi…, tregon reporteri i Bild në reportazhin e publikuar dje. Sakaq, fakti që hoteli me katër yje nuk ishte prenotuar i gjithi nga Federata greke, la vend për spiunim, ku çdokush mund të prenotonte dhoma. Pas daljes së këtij lajmi, mediat greke kanë hapur faqet e para me agjentin 007, duke e cilësuar atë si kalin e Trojës, nëpërmjet të cilit në lashtësi greket fituan luftën ndaj trojanëve. Teksa mediat hidhnin baltë mbi imazhin e politikës gjermane, në veçanti ndaj kancelares Merkel, ata pësuan dështimin e radhës. Nuk përfundojnë sharjet dhe fyerjet e helenëve. Televizioni Star thotë: Provokime të reja nga Bild. Ata e quajnë Karagunis si Malaka si dhe spiunojnë lojën e Santosit. Gapiseta shkruan: Reporter mediokër. Zoti i dështimit! Por, nëpërmjet kalit të Trojës, fitojnë grekët, jo gjermanët. Contra.gr: Si kali i Trojës, reporteri skanon Greqinë e Santosit. Ky skandal pritet të japë edhe pasojat. Greqia ka marrë valixhet nga ana politike, por pritet të marrë edhe goditjen e fundit nga ana sportive, por këtë herë falas.
Frikë nga spiunët, Lëvi rrethon hotelin
Pas frikës së spiunazhit, trajneri gjerman Joakim Lëv ka rrethuar komplet zonën e hotelit Duor Olivski, si dhe një pjesë të oborrit, ku herë pas here kryejnë disa seanca stërvitore. Përveç rrethimit, ana e jashtme e hoteli mbrohet edhe nga sigurim privat gjerman, që është nën kontratë me Federatën gjermane. Madje, policia ka vënë edhe një tra ndalues në rrugën që të çon drejt hotelit të Kombëtares gjermane, ku çdo personi dhe mjeti që kalon i bëhet skaneri. Lojtarët e Gjermanisë tani janë të qetë dhe nuk i tremben jo vetëm spiunazhit të kundërshtarëve, por edhe paparacëve të ndryshëm që vërtiten përreth hotelin ku ata janë akomoduar për këtë Europian.
Gjermani-Greqi
Gjermania (4-2-3-1): Nojer, Lahm, Badshtyber, Humels, Boateng, Shvainsteiger, Khedira, Podolski, Ozil, Myler, Gomez.
Trajner: Joakim Lëv
Greqia (4-2-3-1): Sifakis, Tzavelas, K.Papadopulos, Papastathopulos, Torosidis, Maniatis, Katcuranis, Samaras, Fotakis, Salpingidis, Gekas.
Trajner: Fernando Santos
Lëv: Ska spektakël me Greqinë
Joakim Lëv parashikon një mbrojtje graniti të skuadrës së Fernando Santosit, e cila do të jetë shumë e vështirë për tu thyer. Do të jetë shumë e rëndësishme të tregohemi pragmatistë dhe të tregojmë instinkt vrasës në ato pak raste që pritet të kemi. Do të kemi përballë një shkëmb graniti në mbrojtje, por unë jam i sigurt se mund ta thyejmë nëse punojmë fort, – ishin fjalët e para të menaxherit të pancerave në konferencën për shtyp përpara çerekfinales.
Shvajni: Jam i lodhur, por i mundim
Bastian Shvajnshtaiger teksa u ankua nga lodhja fizike pas ndeshjes kundër danezëve, ka reflektuar duke ndryshuar qëndrimin e tij. Nuk besoja më parë, kur Balak, Kahn dhe Lehman më ankoheshin për lodhjen. Nuk e mora seriozisht këshillën e tyre, por tani po e përjetoj vetë. E shoh që ngarkesa është e gjitha psikologjike, dhe jo fizike. Kundër Greqisë do jemi të freskët dhe gjithçka do të varet prej nesh, u shpreh dje mesfushori i Bajernit të Mynihut.
Santos: Me penallti do fitojmë ne
Tekniku i grekëve, Fernando Santos, beson se ndeshja shkon te penalltitë. Nëse ndeshja do të shkojë te penalltitë, do jemi të përgatitur. Pesë futbollistët që gjuajnë 11-metërshat dhe portieri janë më se të përgatitur si fizikisht, edhe psikologjikisht. E di që në disa ndeshje të fundit nuk kemi qenë mirë te penalltitë, por siç e patë edhe në Champions League, lojtarë të mëdhenj gabuan. Kur vjen te ai moment, cilësia dhe teknika ngërthehen edhe me fatin e një lojtari, tha tekniku.Haristeas: Greqia fiton si Çelsi
Ish-sulmuesi i Greqisë, Angelos Haristeas, i cili njihet si heroi i finales së 2004-s, kur shënoi golin e fitores ndaj Portugalisë, është njohës i mirë i skemave të gjermanëve. Në prag të sfidës në çerekfinale i thur elozhe skuadrës së tij, duke e krahasuar atë me kampionët e Champions-it, Çelsin. Duke pasur një repart të fortë difensiv, këtë duel mund ta krahasoj si Bajern-Çelsi. Kjo skuadër lufton, mbrohet, sulmon, vrapon, shpërthen dhe në fund të ndëshkon.
LEONARD KARAJ