E Diel, 1 Nëntor 2026

Ronaldo-show, Portugalia kalon në gjysmëfinale

Çeki-Portugali 0-1

Portugalia është skuadra e parë që kalon në gjysmëfinalet e Europianit. Luzitanët fituan minimalisht ndaj çekëve, falë golit të Kristiano Ronaldos, shënuar në minutën e 79-të të pjesës së dytë të ndeshjes. Ashtu siç ishte parashikuar, fitoi skuadra më në formë, që shpalosi edhe futbollin më të bukur në fushën e lojës. Portugezët dominuan thuajse gjithë takimin, duke goditur dy herë edhe shtyllën e portës së mbrojtur nga Peter Çeh, por goli erdhi vetëm disa minuta nga fundi: kros në zonë i Zhoao Mutinjos, aty ku Kristiano Ronaldo hidhet në planzhon e me kokë dërgon topin poshtë traut të portës së mbrojtur nga Çeh. Nga ana tjetër, Çekia vuajti shumë organizimin e lojës në mesfushë, ku u vërejt mungesa e kapitenit Tomas Rozicki. Ky i fundit nuk luajti as në këtë ndeshje, pasi nuk u rikuperua nga dëmtimi. Ndërsa Portugalia ushtroi presion të vazhdueshëm, duke përqendruar më së shumti lojën nga krahët, ku si Nani, edhe Mutinjo fituan gati çdo dyluftim me mbrojtësit çekë. Për tu theksuar loja mjaft e mirë te skuadra çeke e portierit Çeh, i cili neutralizoi mjaft gjuajte në drejtim të katërkëndëshit të tij. Ndërkohë dështoi edhe në këtë ndeshje sulmuesi Milan Barosh, i cili nuk arriti të rrezikojë qoftë edhe një herë të vetme portën e luzitanëve. Tani, skuadra e drejtuar nga Paolo Bento do të presë fituesen e çiftit Spanjë-Francë, me të cilën do të ndeshet në gjysmëfinale.

Çeki-Portugali 0-1
Shënues:
Ronaldo 79
Kartonë të verdhë: Nani, Veloso/ Limberski
Gjyqtar: Houard Ueb (Angli)
Çekia: Çeh, Selasie, Sivok, Kadlec, Limberski, Hubshman (Pekhart 86), Plasil, Jiraçek, Darida (Rezek 61), Pilar, Barosh. Trajner: Mikhal Bilek
Portugalia: Patrisio, Pereira, Pepe, B.Alvessh, Koentrao, Veloso, Meireles (Rolando 88), Mutinjo, Nani (Kustodio 84), Postiga (Almeida 40), Ronaldo. Trajner: Paulo Bento

NJERIU I NDESHJES Kristiano Ronaldo ishte edhe lojtari më i mirë në fushë, ai që i dha edhe kualifikimin Portugalisë.
MË I DOBËTI Milan Barosh ishte lojtari më i dobët. Sulmuesi nuk u duk fare në lojë duke mos rrezikuar asnjëherë portën luzitane.
MOVIOLA Nani rrëzohet në zonë në minutën e 43-të nga Kadlec dhe kërkon penallti. I drejtë vendimi i arbitrit, sishte penallti.

Ronaldo
Jam shumë i lumtur pasi arritëm objektivin tonë primar. Për atë çka bëmë në 90 minuta lojë, jam i sigurt se rezultati i kësaj ndeshjeje ishte më se i drejtë. Patëm shumë herë më shumë raste sesa çekët. Do kishte qenë fatale që në fund të mos ishim ne ata që duhej të kualifikoheshim. Kampionë? Kemi bërë një kampionat evropian mjaft të mirë dhe mund të them se ëndrra vazhdon, pohoi Ronaldo.

Bilek
Nuk mund të fajësoj Selasie (mbrojtësin). Për mua ai luajti mjaft mirë, por ishte shumë, shumë e vështirë që të ndalje një sulmues si Ronaldo, i cili këtë sezon ka shënuar më shumë se 50 gola. Gjithsesi, e konsideroj një Evropian të mirë për skuadrën time, duke qenë se para fillimit të kampionatit nuk na shihnin as në
çerekfinale, – tha trajneri i çekëve, Bilek.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›