E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga 2 grabitësve të pasqyrave të Benz-ave

04/03/2011  Në Tiranë policia arreston hajdutët. Vidhnin pasqyra të makinave Benz

Policia sekuestron kapuça të zinj, kaçavida, çelës dhe sende të tjera

TIRANË- Dy të rinj u prangosën dje nga policia e kryeqytetit, pasi akuzohen si grabitës serialë të makinave Benz. Burimet zyrtare të policisë thanë se shërbimet e Parandalimit dhe të Hetimit të Krimit të komisariatit nr.4 gjatë një hetimi disa mujor kanë bërë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin në flagrancë të shtetasit Arben Xhafaj, 29 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë” dhe Joan Rustemi, 27 vjeç, i cili do të ndiqet në gjendje të lirë. Arrestimi i tyre u krye sepse dyshohet se në vende e kohë të ndryshme kanë vjedhur pasqyrat e automjeteve në pronësi të disa shtetasve, dhe më konkretisht janë dokumentuar implikimi i tyre në disa vjedhje. Më datë 25 shkurt 2011 dyshohet se në rrugën “Thanas Ziko” në Tiranë, kanë vjedhur pasqyrat e automjetit tip “Benz Mercedez C Klas”, me targa TR 1649 S. Më datë 01 shkurt 2011 po në rrugën “Thanas Ziko” në Tiranë kanë vjedhur pasqyrat e automjeti tip “Benz C Klas”, me targa TR 8710 K. Më datë 27 shkurt 2011, në Qesarakë, dyshohet se ka vjedhur pasqyrat e automjetit tip “Benz 220”, me targa MKMV 1327. Më datë 06 shkurt 2011 në Qesarakë, dyshohet se ka vjedhur pasqyrat e automjetit tip “Mercedez Benz 220”, me targa TR 9288 T. Më datë 28 shkurt 2011, dyshohet se në rrugën “Thanas Ziko”, kanë vjedhur pasqyrat e automjetit tip “Mercedez Benz 220”, me targa TR 2444 P dhe më datë 20 shkurt 2011, në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, dyshohet se kanë vjedhur pasqyrat e automjetit tip “Benz Mercedez ML 280 M”. Ata dyshohen se kanë vjedhur në kohë e vende të ndryshme një sërë pasqyrash të automjeteve dhe më pas dyshohet që Rustemi i ka shitur ato. Nga kontrolli i ushtruar në banesa, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një sërë pasqyrash të automjeteve, automjeti tip “Benz Mercedez”, me targa TR 9839 P, si dhe një sërë sendesh, të cilat kanë shërbyer për të realizuar vjedhjet si (kapuça të zinj, kaçavida, çelës etj sende).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›