E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Integrimi në BE, përparësi e Shqipërisë

04/03/2011  Presidenti i Republikës pritet nga homologu i tij Hungarez, Shmit:

“Të punojmë për të arritur një nivel të lartë bashkëpunimi ekonomik”

BUDAPEST- Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Hungari, ku shoqërohet edhe nga një grup i rëndësishëm, përfaqësues të biznesit shqiptar, u pritën dje në një ceremoni solemne në Pallatin Sandor nga Presidenti hungarez Pal Shmit. Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se gjatë këtij takimi, Presidenti Topi, duke iu referuar mbështetjes së vazhdueshme për vendin tonë të Hungarisë, që mban Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, ritheksoi se “integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është përparësi e politikës së jashtme shqiptare.” Nga ana e tij, kreu i shtetit theksoi angazhimin maksimal të shtetit shqiptar për bashkëpunim të plotë me Presidencën hungareze dhe delegacionin e BE-së në Tiranë, për të përmbushur synimin e shqiptarëve për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Më pas, Presidenti Topi dhe Presidenti i Hungarisë, Shmit, morën pjesë në “Forumin e Dhomave të Biznesit të Shqipërisë dhe të Hungarisë”.

Në përshëndetjen e tij drejtuar pjesëmarrësve në këtë takim me përfaqësues të lartë të dhomave respektive të biznesit, Presidenti Topi vuri në dukje faktin se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet vendeve tona është një detyrë dhe një objektiv me një domethënie të qartë në kuadër të integrimit të vendeve tona në Evropën e Bashkuar. “Ekzistojnë të gjitha mundësitë që niveli i shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve të rritet në volumet e përgjithshme të eksport-importit, ashtu dhe në fushat konkrete me interes reciprok. Mendoj se përpjekjet e vazhdueshme janë kyçi i një potenciali të pakufizuar për ta çuar në një nivel më të lartë bashkëpunimin bilateral ekonomik”, tha Topi, duke u shprehur i bindur se “fati i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona është në duart tuaja dhe se ju e keni fuqinë për të ndërtuar të ardhmen e integrimit të vendeve tona në BE”.

Topi takim me diasporën

Gjatë vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti Topi së bashku me Zonjën e Parë dhe delegacionin që e shoqëron, zhvilloi një takim të përzemërt e miqësor me përfaqësues të diasporës shqiptare në këtë vend. Duke vlerësuar punën dhe kontributin e tyre për forcimin e lidhjeve të miqësisë dhe bashkëpunimit me Hungarinë, si dhe ngritjen akoma edhe më lart të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë, në prani të ambasadores së Shqipërisë dhe të ambasadores së Republikës së Kosovës, Presidenti Topi dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes” aktivistin e shquar për çështjen e Kosovës, Avni Hafuzi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›