E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Jemi në diskutimet e fundit me PD-në

04/03/2011  Partia çame konfirmon koalicionin me PD-në më 8 maj

Partia çame për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk e përjashton mundësinë e hyrjes së saj në koalicion me Partinë Demokratike për zgjedhjet lokale të 8 majit. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në një prononcim të tijin dhënë për mediat shqiptare, theksoi se grupet e punës të partisë që ai drejton janë në proces për arritjen e një marrëveshjeje. Pavarësisht kësaj, Idrizi pohoi se në mënyrë reciproke të dyja forcat politike do të mbështesin kandidatët e njëra-tjetrës gjatë fushatës për garën e ardhshme elektorale për bashkitë dhe komunat në vend. “Jemi në diskutimet e fundit për të konkretizuar një marrëveshje edhe për pushtetin lokal. Sigurisht që në mënyrë reciproke ne do të mbështesim kandidatët reciprokë”, u shpreh dje Shpëtim Idrizi. Nga ana tjetër, vetëm pak ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar, Kryeministri Sali Berisha, duke iu referuar zgjedhjeve lokale, është shprehur për zgjerim të koalicionit të mazhorancës, si dhe theksoi që në këtë proces zgjedhor duhet të bëhet dhe promovimi i kandidateve femra, si një forcë integruese në politikën shqiptare. Në zgjedhjet e 8 majit, duke iu referuar dhe shkrirjes në një parti më vete të PDU-së dhe PDI-së, PDIU-ja e kryesuar nga Shpëtim Idrizi parashikohet që të ketë një rritje të ndjeshme të elektoratit të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›