E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu marrëdhënie me të miturat, në gjyq polici

Haxhi Qelemini akuzohet se ka mashtruar e më pas kryer marrëdhënie seksuale me vajzat 17 dhe 13- vjeç

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi të dërgojë dosjen në ngarkim të ish-punonjësit të policisë së Korçës të akuzuar për përdhunimin e dy minoreneve, në prokurorinë e Tiranës. Dosja ndaj Haxhi Qeleminit, ka mbërritur në prokurorinë e kryeqytetit duke e akuzuar vetëm për kryerjen e veprës penale të marrëdhënieve seksuale me të mitura. Ndërsa akuzat për të cilat u arrestua Qelemini në mesin e muajt shkurt, atë të përdhunimit dhe trafikimit të femrave për prostitucion, të mbetur në tentativë, sipas prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk qëndrojnë.

“Nga hetimet disamujore dhe marrjes në pyetje të dy të miturave 13 dhe 17 vjeçe, ka rezultuar se shtetasi Haxhi Qelemini ka kryer marrëdhënie seksuale me dëshirë vetëm me 17- vjeçaren, ndërsa me shoqen e saj 13- vjeçare ka kryer vetëm veprime të turpshme. Kështu që rezulton se Qelemini nuk ka kryer veprën penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të miturat apo edhe akuzën e trafikut të femrave me qëllim prostitucioni të mbetur në tentativë, pasi nga dëshmitë e vajzave ka rezultuar se ish-efektivi i policisë nuk ka shprehur dëshirën ndaj tyre për trafik apo ushtrim dhune gjatë kryerjes së aktit seksual”,- thuhet nga burimet. Sipas dëshmisë së vajzave, Qelemini i ka mashtruar për një jetë më të mirë se atë që bënin në Korçë, duke i premtuar se në Tiranë do të jetojnë të lumtura dhe të pavarura nga prindërit. Ndërkaq, me ardhjen e dosjes pranë prokurorisë së Tiranës dhe me të analizuar provat që janë mbledhur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e kanë bindur drejtuesin e këtij institucioni, Genti Xholi, që të dërgojë dosjen për gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Mësohet se gjykimi ndaj tij pritet që të fillojë në fillim të muajt shtator dhe seancat ndaj tij do të shqyrtohen nën masën e sigurisë “arrest me burg”.

Sipas burimeve nga prokuroria, thuhet se Qelemini është i njohur për policinë si person me precedentë penale, pasi pak vite më parë është akuzuar se ka abuzuar me denoncuesen e skandalit të Bisht Pallës gjatë shoqërimit të saj në Komisariatin e Korçës, por që më pas u la lirë. Ndërsa, për rastin në fjalë, organi i akuzës bën të ditur se ish-polici me anë të mashtrimit ka marrë nga Korça dy vajzat dhe i ka sjellë në Tiranë duke shfrytëzuar njërën prej tyre për të kryer marrëdhënie seksuale. Por, ka qenë largimi i vajzave nga shtëpia që ka alarmuar prindërit e tyre, të cilët i janë drejtuar policisë duke denoncuar zhdukjen e tyre. Pas hetimeve disaditore policia ka rënë në gjurmët e vajzave që banonin në një shtëpi private në rrugën “Besa” tek ish-Frigoriferi pranë nënstacionit elektrikë në kryeqytet. Sipas policisë, pas arrestimit të Qeleminit dy vajzat e mitura, A.J. 13 vjeçe dhe J.O. 17 vjeçe kanë shpjeguar me hollësi dhe detaje të gjithë itinerarin e “bashkëjetesës” me 48 -vjeçarin Haxhi Qelemini, i cili falë mashtrimit i kishte bindur që të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Korçë për të jetuar në Tiranë me të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›