Kakavijë, pranga 47- vjeçarit, transportonte klandestinë
KAKAVIJË- Ndalohet në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës një shtetas, i cili tentonte të transportonte ilegalisht të fshehur në kamion dy persona. Ndalimi është bërë në tokën shqiptare, ndërsa ishte kaluar zona e kontrollit dhe për këtë arsye Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë duke hetuar disa uniforma blu të këtij vendkalimi për ndonjë implikim të mundshëm në këtë trafik.
Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se ndalimi i drejtuesit të një kamioni është bërë i mundur falë informacioneve të marra në rrugë operative. “Specialistët e Sektorit të Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se një mjet kamion, po transportonte për në Greqi 2 shtetas të cilët ishin të pa pajisur me dokumentacion të rregullt dhe do kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit, kanë ushtruar një kontroll në pikën e kalimit kufitar Kakavijë në kamionin tip MAN, me targë koka e kamionit FR 2563 B, dhe traileri me tragë FR 0618 D, me drejtues automjeti shtetasin Vasillaq Shyti, 47 vjeç nga Fieri”, ka bërë të ditur në lidhje me ngjarjen zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Ndërkaq, pas kontrollit të ushtruar në automjet ka rezultuar se informacioni ishte i saktë, pasi në kabinën e kamionit janë gjetur të fshehur dy shtetas, njëri nga Shkodra dhe tjetri nga Tirana, të cilët do t’i kalonte shtetasi Vasillaq Shyti për në Greqi pa dokumentacion kundrejt fitimit 2300 Euro për secilin, duke përfituar edhe nga fluksi i madh i emigrantëve që kthehen për në vendet e punës. Ndërsa drejtuesi i mjetit është vënë në pranga për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, mbetur në tentativë”, fakti që ai dhe dy shtetasit klandestinë janë ndaluar ndërsa kishin kaluar zonën e kontrollit në tokën shqiptare ka bërë të të lindin dyshime për implikime të mundshme të punonjësve të policisë në këtë trafik dhe në bashkëpunim me Prokurorinë janë duke u kryer hetime.