Metko: Shumë shpejt do të hyjmë në Lazarat
TIRANË- Policia e Gjirokastrës ka pranuar dje “sulmin” me armë që banorët e Lazaratit kanë bërë ndaj fshatrave fqinjë dhe disa lagjeve të qytetit por sërish kanë hezituar që të ndërhyjnë. Ashtu siç ka ndodhur edhe herët e tjera, kur banorët e Lazaratit kanë preferuar që të nxjerrin inatin që kanë ndaj shtetit duke qëlluar me armë drejt fshatrave fqinjë dhe lagjes Zinxhira në Gjirokastër, policia është mjaftuar thjesht me faktin që ka identifikuar autorët. Këtë herë zv/ drejtori i policisë së qarkut, Ylli Metko, ka pohuar se shumë shpejt do të ketë një aksion në Lazarat, si për çështjen e armëve ashtu edhe për atë të narkotikëve.
Armët
Gjatë ditëve të fundit, banorët e fshatit Dervician dhe ata të lagjes Zinxhira të Gjirokastrës kanë denoncuar fatin që nga Lazarati po qëllohet me armë dhe se plumbat po binin mbi shtëpitë e tyre. Ata kanë shkuar edhe në polici dhe uniformat blu pasi kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, kanë sekuestruar predhat e plumbave në cilësinë e provës materiale. “Në lidhje me shqetësimet e disa banorëve të fshatit Dervician dhe të lagjes Zinxhira të rrethit Gjirokastër, për të shtëna të herë pas hershme nga fshati Lazarat në drejtim të tyre, sqarojmë opinionin publik se si rezultat i hetimit të policisë janë grumbulluar të dhëna dhe prova ligjore për personat e përfshirë dhe së shpejti me përfundimin dhe dokumentimin e plotë ligjor e procedural, të gjithë keqbërësit do të përgjigjen para drejtësisë. Theksojmë se tashmë autorët, emrat e të cilëve për arsye hetimi nuk mund t’i bëjmë publike, janë shpallur në kërkim”, ka theksuar më tej Metko. Por ai nuk ka publikuar asnjë masë të marrë nga policia që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
Hashashi
Përveç të shtënave me armë, Metko ka folur dje edhe në lidhje me hashashin që vazhdon të mbillet fshehurazi në qarkun e Gjirokastrës dhe haptazi në Lazarat. Ai ka lënë të nënkuptohet se shumë shpejt do të ketë një tjetër ndërhyrje antikanabis në Lazarat. Gjatë konferencës për shtyp, Metko ka deklaruar se ndërhyrjet e policisë do të jenë në çdo cep të qarkut, kudo ku evidentohen bimë narkotike të kultivuara. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër bën me dije se aksionet për evidentimin dhe shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike do të vijojnë edhe ditët në vazhdim dhe do të ndërhyhet në çdo cep të qarkut, ku do të këtë informacion, përfshi këtu edhe Lazaratin”,- është shprehur Metko. Sipas tij, pas operacionit policor të koduar “Era e Malit” gjatë të cilit u asgjësuan rreth 8100 rrënjë kanabis, kreu i policisë së Gjirokastrës ka bërë të ditur se në bashkëpunim me organet e drejtësisë kanë nisur 19 procedime penale për 13 autorë nga fshati Lazarat, të cilët janë tashmë të shpallur në kërkim për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. Por as në operacionin e parë, kur u asgjësuan 8100 rrënjët e hashashit, e as në operacionet e mëparshme, policia nuk ka arrestuar asnjë banor të Lazaratit për kultivim narkotikesh. Gjirokastra është një ndër qarqet më problematikë për sa i përket kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa të shtënat në ajër, kryesisht përgjatë orëve të natës që vijnë nga fshati Lazarat janë kthyer tashmë në një fenomen thuajse të zakonshëm.