Pranga 26-vjeçares, grabiste të ëmën për të dashurin
Tiranë- Një 26-vjeçare dhe i dashuri i saj janë arrestuar nga blutë e kryeqytetit pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë grabitur të ëmën e vajzes.
Sipas policisë shtetësja Eselena Xhaferri kishte grabitur të ëmën e saj dhe paratë ia jepte 48-vjeçarit Petrit Osmeni, me të cilin kishte një marrëdhënie dashurie.
Ka qënë e ëma e 26-vjeçares ajo që ka depozituar një denoncim në policinë e Tiranës pasi në shtëpinë e tyre mungonte shuma prej 9 milionë e 800 mijë lekëve.
Policia bën me dije se ka arritur të gjejë vendodhjen e parave duke shpjeguar se çifti i kishte depozituar në bankë dhe kjo vërtetohet edhe nga libreza bankare që iu gjet të 26-vjeçares.
Ndërkohë bëhet me dije se dy personat mbahen të ndaluar në policinë e Tiranës teksa mësohet se vijon hetimi për zbardhjen e arsyes së kësaj grabitjeje brenda familjes.
/IDEA/