E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 3 ushtarëve, furnizonin VIP-at me kokainë

15/04/2010 Në pranga bie Ali Lila ushtar pranë repartit komando në Zall-Her

Policia hetime për origjinën dhe trafikuesit e drogës

TIRANE- Tre persona, midis të cilëve edhe një ushtar i repartit komando në Zall-Her, kanë rënë në prangat e policisë, pasi nga hetimet është konstatuar se ata kryenin shpërndarjen e kokainës në disa zona të kryeqytetit. Personat e arrestuar quhen Zhaklin Krasniqi 26 vjeç, Robin Ceka 20 vjeç dhe Ali Lila 20 vjeç me detyrë ushtar pranë repartit komando. Këta persona në bashkëpunim edhe me disa të tjerë që aktualisht janë në ndjekje të policisë së Tiranës, furnizonin përdoruesit e kokainës në kryeqytet. Nga hetimi 3 mujor është provuar se klientë të grupit kanë qenë persona VIP, që janë të njohur në fushën e artit dhe kulturës në Shqipëri. Policia nuk ka pranuar të bëjë publike emrat e tyre, por burimet pranë agjentëve të antidrogës thanë se ata janë fotografuar dhe përgjuar, gjatë momentit të blerjes së lëndës narkotike të llojit kokainë. Informacionet për aktivitetin kriminal të këtij grupi, janë mbledhur në rrugë operative, ku pas koordinimit të mirë policia e Tiranës vuri në zbatim operacionin e koduar “Smart” ku në afërsi të kompleksit “7 Xhuxhat” ranë në pranga tre personat e sipërcituar. Në cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestrua 408 gr kokainë, 6 aparate celulari, si dhe një automjet. Aktualisht agjentët e antidrogës vazhdojnë hetimet lidhur me këtë çështje, pasi dyshohet se në përbërje të këtij grupi ekzistojnë të implikuar edhe persona të tjerë. Në qendër të hetimeve është origjina e lëndës narkotike, si dhe personat që arrinin ta fusnin atë në Shqipëri.

40 milionë lekë

Lënda narkotike e sekuestruar nga policia kap vlerën financiare prej 40 milionë lekësh. Ajo kishte si destiancion lokalet e natës në zonën e bllokut dhe zona të tjera të Tiranës. Tre shpërndarësit kishin marrë një shtëpi me qira në rrugën “Myslym Shyri”, ku veç gjumit që bënin në disa raste kanë shitur edhe kokainë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›