E Diel, 1 Nëntor 2026

Të pakënaqur me shpronësimin e tokës bujqësore

15/04/2010 Në protestë banorët e fshatit Levan

FIER- Sërish protesta të banorëve në rrethin e Fierit. Këtë herë kanë qenë 46 familjarët e familjeve që preken nga ndërtimi i autostradës Fier-Vlorë, të cilëve u preket toka e tyre bujqësore. Këta familjarë kanë kërkuar nga qeveria dëmshpërblimin e tyre për shpronësimin e tokës bujqësore që u preket nga gjurma e ndërtimit të autostradës, si dhe për rishikim për m2 për tokën që u është marrë nga ana e shtetit. Protestuesit kanë bllokuar aksin rrugor Fier-Vlorë në vendin e quajtur Kthesa e Qarrit për rreth 1 orë, ndërsa janë shprehur se nuk do të ndalin protestat deri në zgjidhjen jetike të tyre.

“Ne i kërkojmë qeverisë të na dëmshpërblejë për shpronësimin e tokës bujqësore të marrë për shkak të ndërtimit të autostradës dhe për shpërblimin qesharak që i bën qeveria tokës sonë. Ne kërkojmë të drejtën tonë, vetëm barazi dhe ne jemi rrjepur. Nga 16000 lek për m2 që duhet të na paguajnë na e japin me 5000. Nuk e dimë se ku i gjejnë këto shifra qesharake që tallen me pronat tona”, ka thënë njëri prej banorëve të Levanit.

Sërish në mbështetje të protestuesve edhe këtë herë kanë qenë deputetët e PS, Ervin Koci, si dhe përfaqësues të tjerë të PS-së. Deputeti Koci ka pohuar se do të vazhdojë të mbështesë si përherë kërkesat e drejta të banorëve të Levanit. “Ne jemi në mbështetje të qytetarëve për hallet dhe problemet e tyre. Ky është një problem i madh ekonomik i tyre, pasi janë shpërblyer me çmim qesharak”, ka thënë Koci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›