Pranga 37- vjeçarit, krijoi gjendje civile private
TIRANË- “Ora e mbrëmjes” sekuestron një “mal” me dokumente të falsifikuara, ndërsa çon në qeli një 37-vjeçar që merrej me falsifikimin e tyre. Specialistët e sektorit kundër krimit-financiar pranë policisë së Tiranës, organizuan ditën e djeshme një operacion i cili u finalizua me arrestimin e 37-vjeçarit Lutfi Demi të cilit iu sekuestruan një sërë dokumentesh zyrtare të falsifikuara. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se Demi mbante me vete dy copë certifikata të paplotësuara të vulosura me vulën e Njësisë Bashkiake nr.3, gjë e cila ka detyruar policinë të ushtrojë kontroll në banesën e tij ku dhe ka zbuluar një sërë dokumentesh të institucioneve të ndryshme shtetërore që dyshohet të jenë false.
Hetimi
Agjentët e antikrimit ekonomik-financiar pranë policisë së Tiranës, pak muaj më parë kishin siguruar informacione për një bazë e cila prodhonte dokumente të institucioneve të ndryshme shtetërore false. Menjëherë policia nisi hetimet për të identifikuar falsifikatorin e dyshuar. Pas hetimeve të para, agjentët e antikrimit ekonomik-financiar zbuluan se 37-vjeçari Lutfi Demi dyshohej se furnizonte me dokumente false persona të ndryshëm. Ai u vu në vëzhgim nga policia e cila kishte siguruar informacione ndërsa nuk posedonte prova të mjaftueshme për të ndaluar Demin. Dy ditë më parë, policia është angazhuar për të ndërhyrë me qëllim kapjen e 37-vjeçarit i cili me vete mbante dy certifikata të paplotësuara. Kaq ka mjaftuar për policinë e cila ka mbërritur menjëherë në banesën e të dyshuarit që ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë.
Dokumentet false
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 37-vjeçarit Demi, policia gjeti dhe sekuestroi një sërë dokumentesh të ndryshme të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. “Në banesën e të arrestuarit u gjetën e u sekuestruan 20 copë vula të institucioneve të ndryshme shtetërore si, vula të zyrave të gjendjeve civile, Nr.1, 2, 3, 6, 7 dhe 10 të Minibashkive Tiranë, Gjykatës së Rrethit Tiranë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria Rajonale Tiranë, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, Drejtoria Rajonale Transportit Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Dega e Tatimeve Tiranë, Komunës Dajt, Reparti Ushtarak Nr.1810 Burrel” thuhej në deklaratën e lëshuar nga policia e kryeqytetit. Gjithashtu Demit ju gjetën edhe 100 copë certifikata të Minibashkive Nr.1, 2, 3, 6, 7, dhe 10, Tiranë dhe Bashkisë Ersekë, 20 copë dëshmi për drejtimin e automjeteve, 10 copë Leje Drejtimi Ndërkombëtare, 150 pulla taksash certifikatash,100 copë vërtetime të Minibashkive Nr.1, 2, 3, 6, 7 dhe 10 Tiranë si dhe 10 copë vërtetime të Degës së Mobilizimit Ushtarak Tiranë. Burimet zyrtare të policisë thanë se po punohet për të identifikuar të tjerë persona në këtë çështje ndërsa ndaj 37-vjeçarit u mor masa e arrestit pasi akuzohet për veprat penale të “Falsifikim i dokumenteve zyrtare”, “Falsifikimi i akteve te gjendjes civile”, “Prodhim i mjeteve për falsifikim”, dhe“Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”.