E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Na mbyti njerëzia”

Nga Lorenc VANGJELI

Përmbytjet e rënda që kanë përfshirë Shkodrën dhe Lezhën nuk janë vepër e Perëndisë, por e njerëzisë! Revista “MAPO” zbulon me specialistët e intervistuar se Ministria e Ekonomisë ka shkelur rregulloren e mirëmbajtjes së hidrocentraleve të kasakadës së Drinit. “MAPO” siguron rregulloren origjinale të firmosur që në vitin 1988 nga shkencëtarët më të mirë të vendit, nga ata që ndërtuan hidrocentralet. Reshjet kanë qenë normale, por makutëria e pushtetit çoi në tejmbushjen e rezervave ujore në Veri. Berisha pranon, rrezikojmë katastrofën e plotë! Ministri Prifti, në situatë dramatike.

Për herë të parë në karrierën e tij 20-vjeçare në politikë, kryeministri Sali Berisha ka përdorur fjalën “katastrofë”. Edhe ministri i tij i Ekonomisë, Prifti, ka përdorur fjalët “prag katastrofe”. Të dy i janë referuar situatës së rëndë të krijuar në kaskadën e Drinit dhe përmbytjeve masive në zonën e Shkodrës dhe Lezhës. Për të dy situata ka precipituar rrezikshëm për shkak të kapriçove të motit. Madje dhe ngrohjes globale. Domethënë, shqiptarëve po u thuhet zyrtarisht se fatkeqësia e radhës ka ardhur nga “zemërimi” i Perëndisë dhe se qeveria shqiptare, “mëkëmbëse” e saj në tokë, po bën të pamundurën për ta ndalur këtë zemëratë.
Revista “MAPO” ka konsultuar shumë e shumë specialistë, që nga ata që kanë qenë pjesë e brezit që ndërtuan hidrocentralet e kaskadës së Drinit e deri në sinoptikanë e menaxherë të rrjetit energjetik. Të gjithë ata, duke shpjeguar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, bashkohen unanimisht në një pikë të vetme: në shfajësimin pothuaj të plotë të forcave madhore. “Përmbytjet nuk i ka shkaktuar Perëndia, ato janë fryti i hidhur i marrëzisë dhe makutërisë njerëzore”, - thonë ata.

Reshjet e shiut
Është përdorur rëndom këto ditë krahasimi me vitin e lagësht 1963. Vit në të cilin nuk ishte ndërtuar rrjeti i hidrocentraleve mbi Drin, që shërben dhe si rregullator i padiskutueshëm i prurjeve të lumenjve dhe derdhjen e tyre në det; vit në të cilin, pothuaj e njëjta zonë, është përmbytur si dhe në këtë fillimvit. Bëhet fjalë për përmbytjen masive të 13 janarit 1963. Specialistë të sinoptikës krahasojnë shifrat e reshjeve dhe të nivelit të ujërave në lumin e Drinit: më 13 janar 1963, niveli i ujit në postin hidrometrik te ura e Bahçallëkut ka qenë 9 metra mbi nivelin e detit. Në datat 4 dhe 5 janar të këtij viti, në të njëjtin post, niveli i ujërave ka qenë gjithashtu 9 metra mbi nivelin e detit. Kurse niveli i reshjeve në këtë fillimviti kanë qenë më i vogël se në të njëjtën periudhë të krahasuar. Konkretisht, në dhjetor ‘63, në Shkodër ka pasur 374 milimetra shi dhe në janarin e vitit tjetër, 424 milimetra; në Lezhë, ishte për dhjetorin ‘63 e janarin ‘64, respektivisht 244 milimetra dhe 495 milimetra. Të dhënat e sinoptikës saktësojnë se mesatarja shumëvjeçare për këto dy zona është respektivisht 253 dhe 211 milimetra për Shkodrën dhe 157 dhe 154 milimetra për Lezhën. Pra, në dhjetor-janar të 46 viteve më parë ka pasur pothuaj dy herë më shumë reshje se kjo mesatare. Ndërsa krahasimi i shifrave të reshjeve për dhjetor-janarin e tanishëm japin një tablo krejt tjetër, që “shfajëson” plotësisht “Perëndinë”. Në Shkodër, në dhjetor 2009 dhe janar 2010 reshjet kanë qenë brenda mesatares shumëvjeçare, ose 1.5 deri në 2 herë më të pakta se në të njëjtën periudhë të viteve ‘63-‘64. Në Lezhë, në dhjetor kanë rënë 250 milimetra shi, kurse në ditët e para të janarit vetëm 50 milimetra. Këto të dhëna saktësojnë se ndikimi i reshjeve në përmbytjet e shkaktuara kanë qenë pothuaj të papërfillshme, shtuar këtu dhe faktin që ujërat e Drinit, disiplinohen nga tri hidrocentralet e ndërtuar mbi të.

Mëkati njerëzor
Në datën 1 dhjetor 2010 niveli i ujit në Hidrocentralin e Fierzës, që është dhe rregullatori kryesor i kaskadës së Drinit, ishte 285.3 metra mbi nivelin e detit. Në datën 27 dhjetor niveli kishte shkuar në 290 metra mbi nivelin e detit. Për më shumë, që nga kjo periudhë, shërbimi i sinoptikës garantonte normalisht për të paktën dy javë parashikimin e motit. Së pari, nivelin e pritshëm të reshjeve dhe temperaturës. Ajo çfarë ishte pika e fundit e fatkeqësisë që mbushi gotën e tersit dhe natyrisht edhe liqenin e Fierzës, ishte rritja e menjëhershme e temperaturave. Në Shkodër dhe Lezhë ato shkuan deri në 18 dhe 20 gradë celsius, çka bëri që dhe dëbora në malet që furnizojnë ujëmbledhësin e Fierzës të shkrinte deri në natën e Vitit të Ri. Ky ishte momenti që niveli i ujit në Fierzë të kalonte dukshëm pikën kritike: 293.5 metra mbi nivelin e detit. Parashikimet për ditët në vijim ishin që prurjet e lumenjve dhe reshjet do të shtoheshin dhe kjo gjë kushtëzoi hapjen e detyruar të portave të shkarkimit. Nga ky moment, fjalën e kishte vetëm uji!
Pyetja e parë që ngrihet në një moment të tillë është një dhe e vetme: a mund të shmangeshin përmbytjet? Specialistë të sistemit, të gjithë profesorë dhe projektues të kaskadës së Drinit, i referohen rregullores së vetme teknike “Mbi shkarkimin e plotave (prurjeve) në hidrocentralet e lumit Drin”. Është një rregullore e vitit 1988, e firmosur nga dy ministra të kohës, ai i Ndërtimit, Farudin Hoxha dhe i Energjetikës, Lavdosh Ahmetaj. Rregullorja është përpiluar nga grupi i punës që ka në përbërje emra profesorësh nga më të aftët që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Ata janë Petrit Radovicka, Egon Gjadri, Jorgji Ziko, Bashkim Spahiu, Bardhyl Shehu, Jani Ziso, Ilir Radovicka dhe Shaqir Shehu. Emra shkencëtarësh që sot “tallin” nga larg profanët që duhet ta zbatojnë atë. “Janë profanë, ky është një krim i kryer nga njerëzia dhe jo nga Perëndia”! Pajtim Bello, doktor shkencash, zëvendësministër i Energjetikës në atë periudhë dhe në të njëjtin funksion edhe në vitet 1997-2005, nuk ka dilema dhe nuk ka mëdyshje. “Është shkelur rregullorja ‘Mbi shkarkimin e plotave...’”, - thotë Bello. Sipas tij, përgjegjësit kanë emër dhe mbiemër dhe shkelësit e saj kanë funksione të përcaktuara qartë. “Shkarkimi i liqenit të Fierzës duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë dhe në mënyrë graduale, që të mos krijonte përmbytje. Shkarkimi nuk është një vendimmarrje subjektive, por një detyrim që vjen nga shkenca”, - thotë Bello.

Vija e kuqe e alarmit, fajtori
Banorët e Shkodrës dhe të Lezhës do ta kujtojnë për tërë jetën mbrëmjen e 1 korrikut 2009. Në një studio televizive, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Dritan Prifti, në një moment sinqeriteti deklaroi se një SMS e kryeministrit Berisha i kishte dhënë mandatin e deputetit. Se deri në atë moment atij “po i vidheshin votat nga komisionerët e PD-së dhe PS-së”. Prifti tha se mandatet e partisë së tij ishin të arta dhe se ai, edhe i vdekur, nuk do t´ia afronte mandatin e majtë Partisë Socialiste, por ia vinte në dispozicion Doktor Berishës. Me formimin e qeverisë, mandati i artë i Priftit u këmbye në bursën politike me postin e ministrit të Ekonomisë. Dhe këtu fillon dhe telashi i vërtetë, si për banorët e përmbytur, ashtu dhe për vetë Priftin, që i duhet t´i lutet Perëndisë për shumë arsye. Duhet t´i lutet që të pushojnë reshjet dhe që në Shqipëri, edhe për nja dy dekada, të mos vendoset shteti i së drejtës që ndëshkon fajtorët, pavarësisht imunitetit. Sepse Prifti ka injoruar rregulloren që ka për detyrë ta zbatojë. “Kur niveli në liqenin e Fierzës arrin kuotën 285.0 metra..., krijohet një komision i posaçëm, i cili përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Energjetikës, të Ndërtimit, Bujqësisë, Mbrojtjes, shërbimit sinoptik, Komitetit të Digave të Mëdha... Komisioni formohet nga ministri i Energjetikës dhe kryesohet prej tij...”, - shkruhet në rregullore, në faqen nëntë të saj. Ky është një komision që nuk është mbledhur kurrë. Dhe këtu nis kalvari i përgjegjësisë së ministrit të sotëm. Rregullorja, nëse do të zbatohej, përcakton shprehimisht se për “periudhën tetor-shkurt, niveli i liqenit mbahet në kuotën 289 metra absolute, duke shkarkuar, po të jetë nevoja, prurjen e tepërt nëpër tunelin numër 4, me hapje të pjesshme ose me intervale. Për të zvogëluar shkarkimet, centrali duhet të punojë me fuqi sa më të madhe, por jo më pak se 300 metra kub ujë në sekondë”. Më tej, rregullorja, me një gjuhë thellësisht teknike, saktëson rast pas rasti kohën dhe mënyrën se si duhet të kryhen shkarkimet e ujërave të tepërta për Fierzën, Komanin dhe Vaun e Dejës, në varësi të prurjeve dhe parashikimit për prurjet e mëtejshme.
Është pothuaj e pamundur të shpjegohen të gjitha rastet teknike se kur kryhen shkarkimet e detyruara; të pamundur e ka pasur ta kuptojë një gjë të tillë edhe ish-studenti i anglishtes, që pretendon edhe se ka kryer studime në Harvard; por nëse do të kishte thirrur së paku specialistët e fushës, do të kishte arritur në konkluzionin se portat e shkarkimit duhet të ishin hapur me kohë. “E kemi shkelur rregulloren me disa ditë! Nuk e kemi mbledhur komisionin”. Të dyja këto janë deklarata publike të ministrit të Ekonomisë, Prifti, të cilat nesër do të mund t´i kushtojnë shtrenjtë. “Pse nuk e zbatuan rregulloren? Kjo është vërtet pyetja për një milion dollarë! Ka disa arsye që ne vetëm mund t´i marrim me mend. E para është makutëria. Duke kërkuar të rritet niveli i rezervave hidrike në Fierzë, kanë menduar se garantojnë furnizimin e energjisë për verën e këtij viti. E dyta është makutëria, edhe pse niveli po rritej dhe parashikohej të rritej edhe më tej, vazhdonte të importohej energji nga jashtë. E treta, është makutëria e të paaftëve”, - thotë doktori i shkencave, Pajtim Bello. Kurse profesori tjetër, Thoma Meksi, laureat i çmimeve të Republikës dhe ish-drejtor i Përgjithshëm i KESH-it, thotë se nivelet e lejuara të nivelit në Fierzë mund të shkojnë deri në 293 metra. Të enjten, sipas të dhënave zyrtare, niveli kishte vajtur deri në 296 metra. Nëse kjo është një shifër e besueshme, që megjithatë është në dinamikë, sepse deri të enjten në mesditë, prurjet në Fierzë ishin të nivelit 1500 metra kub në sekondë, kurse shkarkimet vetëm 800 metra kub në sekondë.

Frika absolute
Niveli më i rrezikshëm, pika kritike është vetëm një metër më shumë. Deri në kurorën e digës kanë mbetur dhe 6 metra. Ajo është në lartësinë 302 metra. Por inxhinier Dhimitër Cico, i pari që shpalli rrezikun maksimal që vjen nga mosfunksionimi i rregullt i kaskadës së Drinit, shkon dhe shumë më tej. “Atë diferencë prej 6 metrash mos e llogarisni. Projektuesit kanë menduar për një tjetër skenar rreziku. Ekziston gjithmonë mundësia që nga shpatet e maleve anës ujëmbledhësit të Fierzës të shkëputen masivë të mëdhenj shkëmborë. Kjo është një mundësi jo vetëm teorike, por dhe praktike. Rënia e këtyre masiveve mund të shkaktojë dallgë të forta në liqen që përplasen në kurorën e digës. Nuk dua të flas për këtë mundësi. Është e tmerrshme. Por edhe më e tmerrshme është nëse kalon niveli i ujit mbi digë. Shpërthimi i tyre do ta çonte Shqipërinë në epokën e gurit, nuk do të kishte më Shkodër, Lezhë, në Tiranë uji do të vinte për 30 – 40 minuta dhe do të kishte thellësinë 30 centimetra. Dallga e cunamit do të mbërrinte deri në Ankona”, - thotë inxhinier Cico, i pari që ka paralajmëruar këtë skenar apokaliptik për revistën “MAPO” që në fillim të dhjetorit, kur në qetësinë e frikshme të liqenit të Fierzës përgatitej pragu i katastrofës, siç e quan sot Sali Berisha. Një katastrofë e shkaktuar nga njerëzit dhe nga e cila mund të na shpëtojë vetëm Perëndia!

Një ministër në kurth

Deri tani prokuroria ka heshtur. Opozita i ka adresuar në mënyrë të përsëritur kërkesë Prokurorisë që të fillojë çështje penale, por deri tani nuk është bërë asnjë lëvizje. Pak ditë më parë, ministri Prifti dëshmoi se dikush i kishte afruar 10 mijë euro për një vend pune, por ai nuk i kishte pranuar. Fakti që Prifti nuk e kishte denoncuar menjëherë, me emër e mbiemër sekserin që i kishte vajtur deri në zyrë për t´i afruar para dhe që është gjithashtu vepër penale e shkaktuar prej tij që “dëgjon” ofertën e pistë, tani ngjan vetëm si një kuriozitet në një vend ku ligji ka vetëm vlerën e letrës së shkruar dhe të pazbatuar. Por, situata ligjore e ministrit, pas përmbytjeve në Veri, po bëhet dramatike. Ka të paktën dy nene të Kodit Penal që duket se zoti Prifti i ka shkelur. I pari është Neni 248, shpërdorimi i detyrës, që flet për “kryerje ose moskryerje me dashje të veprimeve apo mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës nga personi që ushtron funksione publike ..., kur kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në 7 vjet dhe me gjobë ... deri në një milion lekë”. Neni paraardhës, me numër 153, është edhe më i rëndë: “Shkatërrimi apo dëmtimi i pronës me përmbytje dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet”. Por ligjvënësi ka parashikuar se kur janë shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve, dënimi i mundshëm trefishohet.

Marrë nga revista “MAPO”

11 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›