E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Meta ka humbur kontrollin

 

PS reagon pas akuzave të Ilir Metës gjatë konventës së LRI-së

TIRANË- Ngjarja e Gërdecit, përkeqësimi i treguesve të qeverisjes dhe debati për reformat e mëdha, nuk ka penguar aspak Lëvizjen Socialiste për Integrim që të merret me luftën e saj të hapur ndaj Partisë Socialiste. Duke zhvendosur vëmendjen e saj nga lufta opozitare, LSI ka përqendruar ditët e fundit aksionin e saj politik në "përbaltjen" e PS-së, duke harruar pothuajse fare betejën e saj opozitare. Ashtu si gjatë konventës së partisë, edhe dje gjatë konventës së LRI-së, kreu i kësaj force, Ilir Meta, ka sulmuar gjatë gjithë kohës PS-në dhe veçanërisht kreun e saj Edi Rama. Nisur nga kjo fushatë e shfrenuar akuzash, të cilët drejtuesit socialistë i kanë konsideruar si shpifje dhe pasojë e mllefit të politikës së vjetër, selia rozë ka reaguar dje në mënyrë zyrtare, duke i bërë apel Metës që të heqë dorë nga fushata e tij anti PS. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Partia Socialiste ka bërë të ditur se kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka humbur logjikën. "PS shpreh shqetësimin se Ilir Meta ka humbur kontrollin. PSSHi bën apel Metës të gjejë qetësinë, pasi socialistët nuk shantazhohen dot. PSSH e vlerëson Fjalorin e KPD-së si turp për Metën, ndërkohë që e sheh të ardhmen pa mllef", - thuhet në deklaratën e shpërndarë dje nga selia rozë. Marrëdhëniet midis PS-së dhe LSI-së kanë pasuar një përkeqësim të dukshëm që pas bashkëpunimit të këshilltarëve të kësaj të fundit me këshilltarët demokratë në Këshillin Bashkiak të Fierit, çka solli dhe shkarkimin e kryetarit socialist të këtij institucioni. Një tjetër konflikt midis tyre është hapur ditët e fundit edhe në bashkinë e Vlorës, ku këshilltarët e LSI-së kërkuan të pengojnë vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›