E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çahet PD, 28 deputetë kundër Berishës

 Negociatat e një natë më parë, mbledhja e rrufeshme e kryesisë së PD-së dhe Grupit Parlamentar që solli ndarjen brenda PD-së

TIRANË- Një pjesë e konsiderueshme e deputetëve brenda Partisë Demokratike, por edhe brenda mazhorancës së djathtë, ia dolën në më pak se 24 orë që të kthejnë sërish në Komisionin e Ligjeve, propozimin që Presidenti të zgjidhet nga Populli dhe t'i thonë "Jo" Kryeministrit Sali Berisha për variantin tjetër të miratuar parimisht, që kreu i shtetit të zgjidhet në Kuvend. Një natë e gjatë me takime dhe bisedime, po ashtu edhe një e enjte me mbledhje maratonë e Kryesisë dhe grupit parlamentar demokrat, nuk ka ndalur të shfaqë në publik krisjen brenda mazhorancës qeverisëse. Firmat e deputetëve demokratë dhe të drejtuesve të partive të djathta u zyrtarizuan. Zëri kundër variantit që Presidenti të zgjidhet në raundin e fundit, në parlament me shumicë të thjeshtë, ishte i përfaqësuar publikisht deri të mërkurën në mbrëmje nga deputetët demokratë Pal Dajçi, Sali Shehu, Dashnor Sula dhe deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi. Por të enjten, radhët e deputetëve kundërshtarë të këtij varianti u shtuan. Mes firmëtarëve është edhe një nga ministrat më të rëndësishëm të qeverisë "Berisha", ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Në listë janë edhe deputetët demokratë Mustafaj, Ngjela, Cara, Babasi, Spaho, Xhindoli, Uka, Zogaj, Paloka, Hoxha, Leskaj, Gjergji, Biberaj etj. Madje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, një prej firmëtarëve, deputeti Besnik Mustafaj ka deklaruar se ai nuk do të pranojë asnjë variant tjetër, përveç atij që Presidenti të zgjidhet nga populli. Numri i deputetëve që hodhën firmën deri mbrëmë vonë shkoi në 28, ndërkohë që disa të tjerë e kanë konfirmuar mbështetjen përmes kontakteve telefonike, për shkak të vizitave jashtë vendit.

Kryesia

Në fakt kërkesa për mbledhjen e firmave, që Presidenti të zgjidhet nga populli e ka pikënisjen në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike të zhvilluar dje në mesditë. Gjatë kësaj mbledhjeje, anëtari i kryesisë, Edmond Spaho, ka kërkuar që të zyrtarizohet nisma në fjalë, duke u mbështetur edhe nga disa anëtarë të tjerë të kryesisë. Kryeministri Sali Berisha është shprehur se do të ishte dakord ndaj një nisme të tillë, në rast se do të bëhen 94 vota në Kuvend, kuorum ky i domosdoshëm për ndryshimin e asaj pjese të Kushtetutës, për zgjedhjen e Presidentit. Në këtë mënyrë, Kryeministri, i shfaqur në dukje në mbështetje të kësaj nismeje, ia ka lënë topin e lojës pikërisht opozitës, duke iu deklaruar anëtarëve të kryesisë, por edhe grupit parlamentar më pas, se i takon pikërisht opozitës që të vendosë, votat e së cilës do të plotësonin numrin magjik. Një lojë kjo e dukshme, kur dihet se iniciativa zyrtare që Presidenti të mos zgjidhej nga Populli ishte pikërisht nga Partia Demokratike e për të cilën nuk ka asnjë dyshim që vetë kreu i kësaj partie dhe Kryeministri i vendit ka qenë dakord.

Përplasjet

Takimi i së mërkurës në mbrëmje i Kryeministrit Berisha me kryetarët e partive aleate është shoqëruar me debate të ashpra sa i takon sistemit zgjedhor, rajonal proporcional. Fatmir Mediu dhe Nard Ndoka i kanë kërkuar Berishës përfaqësim të partive të tyre nëpër qarqet kryesore të vendit, madje duke kërkuar zona të sigurta në disa prej tyre. Për këtëtakim pa marrëveshje, Ndoka e Mediu, por edhe përfaqësues të tjerë të partive të djathta biseduan gjatë paradites së djeshme me Presidentin Bamir Topi, edhe ky i fundit kritik për nismën e ndërmarrë nga PD-PS për ndryshimet në Kushtetutë. Drejtuesit e partive aleate i kërkuan kreut të shtetit që të ndërhyjë në reformën zgjedhore e konkretisht për sistemin proporcional rajonal, duke ofruar në të njëjtën kohë gatishmërinë e tyre se, ata ishin gati të hidhnin firmat për të mbrojtur variantin e mbështetur edhe nga vetë Topi, që Presidenti, mandatin e ardhshëm, të zgjidhej nga populli.

Firmëtarët

1. Bujar Leskaj

2. Besnik Mustafai

3. Spartak Ngjela

4. Pal Dajçi

5. Engjell Cara

6. DashnorSula

7. Ndricim Babasi

8.Sami Gjergji

9.Sali Shehu

10. Edmond Spaho

11. Mevlan Xhindoli

12. Besnik Bisha

13. Ndue Shpani

14. Genc Sharku

15. Artur Hasanbelliu

16. Frrok Gjini

17. Ymer Tola

18. Rexhep Uka

19. Spiro Peci

20. Nard Ndoka

21. Fatmir Mediu

22. Gazmend Oketa

23. Prec Zogaj

24. Edi Paloka

25. Eris Hoxha

Kanë konfirmuar firmën

26. Arjan Madhi

27. Aleksander Biberaj

28. Osman Metalla

29. Hajrulla Paturi

30. Alfred Gega

31. Mehmet Xheka

---------------------------------------------

Deputetët, kritik për mënyrën e funksionimit të qeverisë dhe reformat e ndërmarra

Grupi, deputetët e PD-së: S'ka demokraci në parti

TIRANË- Ndryshimi në Kushtetutë për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit është vetëm maja e ajsbergut për deputetët e pakënaqur të PD-së. Shumica e deputetëve të grupit parlamentar të PD-së e kanë pritur gjatë mbledhjen që Kryeministri Sali Berisha kishte paralajmëruar, për në orën 14:00 të ditës së djeshme. Zhurma e madhe për ndryshimet në Kushtetutë, nuk ka shmangur në fakt atë që fshihet pikërisht pas saj, punën e qeverisë aktuale. Deputetët të Partisë Demokratike kane qenë kritik dje jo vetëm ndaj mënyrës se si u paraqiten ndryshimet në Kushtetutë, por edhe për reformat e ndërmarra nga qeveria e deri tek mungesa e demokracisë në strukturat e Partisë Demokratike. Deputetë të PD-së si Bujar Leskaj, por edhe të tjerë janë shprehur të pakënaqur ndaj mënyrës se si po ecin reformat në qeveri. Madje, sipas deputetit të PD-së, Leskaj, qeveria po fle gjumë dhe se reformat nuk po shkojnë në ritmin e duhur, një deklaratë kjo që parimisht është mbështetur edhe nga një grup deputetësh të tjerë. Një pikë tjetër e diskutueshme ka qenë mundësia e një analize konkrete e punës se qeverisë aktuale. Vetë Kryeministri Berisha është shprehur se për punën e qeverisë, do të zhvillohet një mbledhje e mëvonshme e grupit parlamentar, duke e përqendruar vëmendjen vetëm tek ndryshimet ne Kushtetutë. Megjithatë, kreu i ekzekutivit nuk ka dhënë përgjigje për një qëndrim krejt të papritur të disa prej deputetëve lidhur me mënyrën e funksionimit të PD-së dhe nivelit të demokracisë së kësaj të fundit. Ka pasur nga ata deputetë të cilët janë shprehur hapur se kush thotë të vërtetën mbi atë çka po ndodh në PD-ë konsiderohet si armik. Ndërsa disa të tjerë, dikush me zë të lartë e dikush më pak, kanë shprehur shqetësime për amullinë që është krijuar në Partinë Demokratike, duke mos u vënë në dijeni mbi atë çka po ndodh në të, apo edhe për nismat e fundit që një grup deputetësh të kësaj partie kanë ndërmarrë. Por ashtu si edhe herët e tjera problemet shtrohen, por nuk gjejnë zgjidhje, duke çuar vetëm në një të vërtetë të vetme se në PD-ë po shtohen zërat kundër mënyrës së funksionimit të partisë dhe drejtimit të qeverisë nga kryeministri Sali Berisha.------------------------------------------------------- 

Partitë e vogla i kërkuan Presidentit që të ndërhyjë për çështjen e sistemit zgjedhor

Zgjedhjet, të vegjlit i ankohen Presidentit

TIRANË- Partitë e vogla parlamentare i "falen" Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për të ndërhyrë në ndalimin e amendimit të njëanshëm të Kushtetutës. Jashtë zyrës së vet, në një prej hoteleve të kryeqytetit, kreu i shtetit ka startuar dje një seri takimesh konsultative me të "vegjlit" e politikës shqiptare, ku natyrisht në qendër të bisedës ka qenë pikërisht situata politike e krijuar pas hapjes së debatit për ndryshimet në ligjin themeltar të shtetit. Në takimin e djeshëm, merrnin pjesë kreu i PAD, Neritan Ceka, deputeti i PBDNJ-së Spiro Peçi, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, dhe kryetari i PBLD-së, Arjan Starova. Nga burime pranë këtij takimi, mësohet se ata i kanë kërkuar Presidentit Topi që në cilësinë e numrit një të shtetit të ushtrojë kompetencat e tij ligjore dhe të kontribuojë në parandalimin e prekjes së Kushtetutës, pa u konsultuar më parë me të gjitha forcat politike dhe specialistët e fushës së jurisprudencës. Sipas tyre, ndryshimet nuk janë të shoqëruara me ekspertizën e duhur dhe në disa nene, siç janë 64, 65 dhe 68 që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, ato synojnë që të godasin interesat e partive të vogla. Në të njëjtën kohë, partitë e vogla kanë garantuar të mbështesin nismën për të zgjedhur Presidentin nga populli. Ndërkohë, pas takimit, drejtuesit e partive të vogla janë shprehur se takimi ishte thjesht informues dhe nuk kishte për qëllim ndërmarrjen e ndonjë hapi konkret nga ana e kreut të shtetit në lidhje me këtë debat. "Diskutimet kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese. Ato janë bërë një shqetësim, pasi po kalojnë me shpejtësi edhe pa një ekspertizë të specialistëve dhe konsultimin me Komisionin e Venecias. Natyrisht që shqetësimin e diskutuam dhe me Presidentin e Republikës", - u shpreh kreu i PAD-së, Neritan Ceka, pas takimit. Ndërkohë që kreu i PBDL-së, Arian Starova, ka theksuar se edhe vetë kreu i shtetit ka shprehur shqetësimin e vet në lidhje me këtë "turravrap" të politikës shqiptare për të ndryshuar Kushtetutën. "Presidenti shprehu shqetësimin e tij në lidhje me nxitimin e procesit për ndryshimin e Kushtetutës dhe ideja e këtij takimi ishte sesi procesi mund të bëhet më i hapur edhe për partitë e tjera më të vogla", - tha Starova. Megjithatë ata janë treguar të vetëdijshëm se roli që mund të luajë kreu i shtetit në këtë debat nuk mund të dalë jashtë kornizës së kompetencave që i jep Kushtetuta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›