Gjika: Këshilltarët e LSI-së, të papërgjegjshëm
Reagonkryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika,ndaj akuzave të LSI-së
TIRANË- Ndarja nga Këshilli Bashkiak i Vlorës, i 24 banesave sociale, është bërë shkak për vatër të re konflikti midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Tentativës së një dite më parë të këshilltarëve të LSI-së, për të bllokuar me anë të largimit nga mbledhja të vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, i është përgjigjur dje kreu i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili ka akuzuar ata se kanë tradhtuar votat e elektoratit të majtë, në favor të interesave të ngushta të drejtuesve të partisë në qendër. Duke mbrojtur vendimin e marrë me shumicë votash në këshill, për ndarjen e këtyre banesave për familjet e pastreha, Gjika është shprehur se përcaktimi i fituesve është bërë pas një pune të studiuar mire nga bashkia. "Pas një pune voluminoze ligjore dhe transparente, Bashkia e Vlorës nga kontigjenti prej rreth 4.000 të pastrehësh vuri në dispozicion të këshilltarëve të Bashkisë një listë prej 144 familjesh të pastreha, nga të cilat do të përfitonin 24 prej tyre", u shpreh kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Më tej, ai ka denoncuar si papërgjegjshmëri vendimin e këshilltarëve të LSI-së për t'u larguar nga mbledhja, çka sipas tij është bërë me qëllimin e vetëm për të penguar këshillin në realizimin e ndarjes së këtyre banesave. Sipas tij, veprimi i këshilltarëve të LSI-së ishte në vazhdën e luftës që kjo forcë ka hapur kundra Partisë Socialiste. "Dua të denoncoj papërgjegjshmërinë e përfaqësuesve të LSI-së në ketë Këshill, të cilët, duke braktisur mbledhjen e djeshme, treguan qartë se janë shndërruar tashmë në një formacion luftarak në shërbim të Ilir Metës për karrigen e Kryeministrit. Rastet e fundit të këshilltarëve të LSI-së në Fier dhe në Vlorë janë shembulli me i keq i shmangies nga përgjegjësia qytetare dhe i përdorimit të halleve dhe problemeve sociale për interesa të ngushta elektorale dhe politike. Rasti i djeshëm është një akt i shëmtuar i këshilltarëve të LSI-së, të cilët në vend të ushtrimit të përgjegjshmërisë, për të cilën kanë marrë votën e popullit, zgjodhën të spekulojnë me pamundësinë e Këshillit Bashkiak për strehimin e kësaj kategorie sociale në nevojë", - u shpreh në një komunikim me mediat, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Gjika ka bërë të qartë se Bashkia e Vlorës mbetet thellësisht e angazhuar për zgjidhje dhe jo për manipulime politike të halleve të qytetarëve, siç e konsideroi ai veprimin e LSI-së në Vlorë. "Këshilltarët e LSI-së drejtojnë sot Këshillin Bashkiak të Vlorës pas një flirti të turpshëm dhe trafiku të hapur votash me PD. Prandaj dhe ky veprim i fundit tregon qartazi që LSI, me shumë se sa idealet e të majtës moderne dhe të politikës së re, i shqetëson vetëm dhe vetëm karriera e Ilir Metës", - u shpreh Gjika. Ai nuk ka ngurruar gjithashtu të sulmojë hapur edhe kreun e LSI-së Ilir Meta, i cili sipas tij, si pasojë e mllefit të vjetër, ka humbur logjikën e arsyes. "Dua të theksoj që LSI-se dhe Ilir Metës i janë errur sytë për shkak të reformave të pritshme politike zgjedhore, të cilat, mesa duket, nuk u sigurojnë atyre rol protagonisti në politikë dhe karrierë kryeministrore", - tha Gjika.