E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga bandës shqiptare, realizuan 133 vjedhje në dy muaj


ITALI - Vjedhje e objekteve të shtrenjta në disa rajone të Italisë dhe më pas tregtimi i tyre në Shqipëri, mendohet të jetë skema e zgjedhur nga disa shqiptarë që jetonin në shtetin fqinj. Një bandë hajdutësh e cila vepronte në disa rajone të Italisë është shkatërruar nga policia, e cila prangosi dy vetë, ndërsa personi që organizonte vjedhjet ka mundur t'i shpëtojë arrestimit. Operacioni i koduar "Ëndrra të qeta", ka vënë në pranga Elida Manjanin dhe Dylber Damen, të cilët janë arrestuar në rajonin e Udines, ndërsa është shpallur në kërkim Adriano Ademi, i dyshuar si personi që organizonte dhe drejtonte veprimtarinë e bandës.

Sipas të dhënave nga mediat italiane, dyshja e arrestuar bashkë me persona të tjerë që bënin pjesë në të njëjtin grup, e kishin shtrirë aktivitetin e tyre në më shumë se 26 qytete italiane dhe kryenin vjedhje të banesave dhe vilave luksoze. Për gati dy muaj, të arrestuarit në bashkëpunim me pjesën tjetër të bandës së vjedhjes së banesave kishin realizuar më shumë se 133 vjedhje, duke grumbulluar një kapital prej 200 mijë eurosh. Lajmi për arrestimin e shqiptarëve për vjedhje është publikuar në disa media të shtetit fqinj, ku ajo që theksohet më shumë është shtrirja e gjerë e aktivitetit të të lartpërmendurve. Mësohet se kreu i bandës që kryente vjedhje në vilat luksoze në shumë rajone të Italisë ka mundur t'i shpëtojë arrestimit, pas sinjalizimit që ka marrë për operacionin e policisë italiane.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›