Fieri dhe Pogradeci mbështesin Edi Ramën
Degët e PS-së në këto qytete kanë miratuar rezolutën "Rama" dhe kanë kërkuar rikandidimin e tij
Rezoluta e Partisë Socialiste të Korçës vjen pasi një gjë e tillë është bërë edhe nga degët e kësaj partie në Fie dhe Pogradec. Të dyja këto degë kanë mbështetur vendimet e Asamblesë Kombëtare të PS-së në lidhje me qëndrimin e mbajtur për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe inkurajojnë kreun aktual të kësaj force, Edi Rama, që të rikandidojë në garën e ardhshme elektorale, e cila do të zhvillohet për postin e kryetarit të partisë gjatë muajit shtator. Të dyja këto rezoluta janë pothuajse në union me njëra-tjetrën duke vlerësuar se procesi zgjedhor cenoi dukshëm standardet demokratike të kërkuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe nga vetë zgjedhësi shqiptar.
"Duke i konsideruar vendimet e kongresit të partisë si jetike për vazhdimin e luftës politike ndaj kundërshtarëve tanë të vjetër dhe të rinj, të Partisë Demokratike dhe LSI-së, ne, anëtarët e Asamblesë Socialiste të Bashkisë Pogradec, miratojmë njëzëri vendimet si vijon: T'i kërkojmë Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së mosnjohjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, si zgjedhje jashtë çdo standardi demokratik dhe të papranueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe që aspiron për anëtar të BE-së, t'i kërkojmë Kongresit të Jashtëzakonshëm të PS-së të mos njohë Parlamentin e ri, qeverinë dhe të gjitha institucionet që rrjedhin nga këto zgjedhje të manipuluara", - thuhet në rezolutën e miratuar nga Asambleja Socialiste e Bashkisë Pogradec. Të njëjtin qëndrim ka pasur edhe Asambleja e Fierit.