Europol: Kolumbi-Shqipëri, ja si u bllokua kokaina në vaj palme
Tiranë- Historia e kokainës në vajin e palmës u “tret” brenda një kohe të shkurtër në Shqipëri, por jo nga Europoli, që e konsideron atë një ndër operacionet më të suksesshme ndërkombëtare. Në njoftim i publikuar në faqet e Europolit zbulon detaje të trafikut të nisur në Kolumbi me destinacion Shqipërinë, ku edhe u bllokuan 1 ton kokainë dhe 160 kg hashash.
Gjatë operacionit të koduar Selaniku, i udhëhequr nga Garda Civile spanjolle dhe e koordinuar nga Europol, u konfiskuan thuajse 1 ton kokainë dhe 160 kg hashash. Ngarkesa e madhe e kokainës ishte holluar në 13 ton vaj palme, që kishin kaluar nga Kolumbia nëpërmjet Antwerp në Belgjikë, para se të konfiskohej në fund në Shqipëri”, - thuhet në njoftim. Në total, 22 anëtarë të një rrjeti kriminal ndërkombëtar droge, disa prej tyre figura kryesore, janë arrestuar në këtë operacion. Për të mundësuar suksesin e operacionit të koduar “Selaniku”, autoritetet spanjolle së bashku me Europol-in kanë punuar me autoritetet e zbatimit të ligjit në shtatë shtete: Shqipëri, Austri, Belgjikë, Gjermani, Itali, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbi. Nga ana tjetër, Europol thotë se në këtë rrjet gjigant të trafikut të kokainës ishin përfshirë spanjollë, marokenë dhe shqiptarë, të cilët kishin për qëllim importimin dhe shpërndarjen e dërgesave të mëdha të kokainës kolumbiane dhe hashashit maroken në Europë. Hetimi filloi në tetor 2010, kur Garda Civile spanjolle e Tarragonas mësoi për një grup kriminal, që ka si aktivitet trafikimin e drogës në nivel ndërkombëtar. Si rezultat i hetimeve, u konfirmua se organizata kishte një strukturë hierarkike me drejtimin dhe koordinimin e disa degëve, që kanë të bëjnë me narkotikë të ndryshëm. Një nga degët merrej me kultivimin e kanabisit, një tjetër me furnizimin e hashashit nga burime të ndryshme. Për më tepër, rrjeti ka punuar me një kartel të drogës, për të marrë kokainë në sasi të madhe dhe kishte një infrastrukturë në disa vende europiane për shpërndarjen e saj. Në fillim të hetimit, në tetor 2010, një kg kokainë dhe 29 kg kanabis u konfiskuan dhe degë të specializuara në kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit u identifikuan dhe u goditën. Disa plantacione të rritjes së kësaj bime u shkatërruan, ndërsa 6 anëtarë të organizatës u arrestuan. Organizata vendosi më pas për të importuar sasi të mëdha të kokainës kolumbiane në Europë, kryesisht nëpërmjet portit belg të Antwerpit, duke fshehur drogë në kontenierët e anijeve. Gjatë një mbledhjeje të disa prej anëtarëve të rrjetit në Spanjë, i cili u mbajt nën përgjim nga Garda Civile, u vendos që kokaina të trafikohej duke u fshehur në një enë të ngarkuar me vaj palme. Autoboti do të udhëtonte nga Kolumbia në Antwerp në Belgjikë, ku dhe do të kryheshin transaksionit e fundit për blerjen e kësaj lënde narkotike. Garda Civile e Tarragonas, e koordinuar nga Europol, mbikëqyri një operacion të plotë ndërkombëtar për të ndjekur kamionin nëpër Europë dhe së fundi në Shqipëri, ku droga u bllokua. Europol thotë se grupit kriminal në Shqipëri, i cili do të merrej me përpunimin e vajit për të nxjerrë kokainën, gjithashtu u arrestua.