E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga dy mësuesve dhe një sekseri, shisnin diploma false gjimnazi

Një diplomë shitej nga 200 deri në 400 mijë lekë, regjistrimi bëhej në një gjimnaz të Martaneshit, ku klientët rezultonin nxënës të rregullt.

Dy arsimtarë dhe një sekser kanë rënë në pranga, ndërsa prej vitesh kishin kurdisur një skemë të shpërndarjes së diplomave false të shkollës së mesme, në këmbim të milionave. Bashkim Leti, 40 vjeç, banues në Martanesh, me detyrë drejtor i Shkollës së Mesme të Përgjithshme “Jani Fullani” në Krastë të Martaneshit; Kadri Gjoni, 48 vjeç, ish-drejtor shkolle, aktualisht mësues në Tiranë; si dhe 36-vjeçari Sajmir Levonja kanë rënë në prangat e policisë. Operacioni policor i quajtur “Gjimnazisti” u realizua si bashkëpunim i Task Forcës në prokurorinë e |Tiranës në bashkëpunim me policinë e shtetit. Tre të arrestuarit dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi merrnin kontakte me persona të interesuar, të cilët nuk kishin përfunduar shkollën dhe ishin të interesuar për të marrë dëftesa të shkollës së mesme, tre të dyshuarit ua mundësonin këtë shërbim, kundrejt përfitimit të shumave të parave që variojnë nga 200 mijë deri më 400 mijë lekë. Gjatë ecurisë së hetimit, ka rezultuar se shtetasi Sajmir Levonja bënte të mundur gjetjen e personave të interesuar për të përfunduar shkollën e mesme, ndërsa dokumentacionin përkatës ia dorëzonte shtetasit Kadri Gjoni, ish-drejtor pranë Shkollës së Mesme “Jani Fullani”, i cili duke shfrytëzuar më pas lidhjet miqësore me shtetasin Bashkim Leti, aktualisht drejtor pranë kësaj shkolle, realizonin në bashkëpunim nxjerrjen e diplomave të shkollës së mesme dhe vërtetime të ndryshme pranë kësaj shkolle. Ndërkohë, nga kontrolli i banesës së tyre, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale dokumente shkollore të personave për aplikim për studime të shkollës së mesme, vërtetime të ndryshme shkollore, si dhe një shumë e konsiderueshme parash, të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm.”Vazhdon puna në bashkëpunim me Njësinë Task Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të të arrestuarve dhe personave të tjerë të implikuar”, njoftoi dje policia e Tiranës. Burime pranë prokurorisë thanë se rrethi i të dyshuarve si të implikuar në këtë histori mund të jetë më i madh. Sipas hetimit, ka rezultuar se tre të dyshuarit u siguronin klientëve diploma të falsifikuara “në themel”. Ata jo vetëm shisnin diploma false, por personat që pajiseshin me këto diploma regjistroheshin në mënyrë fiktive në regjistrat e shkollës për katër vite me radhë dhe numri i amzës së tyre shënohej në mënyrë që të mos mbetej asnjë gjurmë e falsifikimit. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›