E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, 249 emrat e rinj që marrin pensionet

ISSh publikon listën e re me emrat e ushtarakëve që përfitojnë pensione të parakohshme dhe suplementare

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon listën e re me emrat 249 ish-ushtarakëve që u janë lidhur përfitimet deri në fund të javës që sapo lamë pas. Në këtë listë janë përfshirë emrat e ish-ushtarakëve që u kanë kaluar tashmë në llogaritë e qendrave përkatëse paguese, pensionet suplementare të pleqërisë dhe ato të parakohshme, ndërkohë që përfituesit i përkasin rretheve të ndryshme të vendit. Specialistët e ISSh-së prej më shumë se dy muaj kanë nisur procesin e llogaritjes së pensioneve edhe për ish-ushtarakët që i përkasin kategorisë suplementare, para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme. Deri më tani, sipas të dhënave nga ISSh-ja, janë caktuar rreth 50% e pensioneve suplementare, për pensionet e reja të pleqërisë, për ata që janë liruar para datës 30.06.1991. Kategoria për të cilën procesi i përllogaritjes së përfitimeve po shkon drejt përfundimit është ajo e pensioneve të parakohshme. Kjo është edhe kategoria prej nga nisi procesi i caktimit të pensioneve sipas ligjit nr.10142, datë 15.05.2009. Në fazën e parë të rillogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve, ISSh-ja ka parashikuar të përfundojë sa më shpejt procedurën për të gjithë ata persona të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës, që janë përfituesit e pensionit të parakohshëm për lehtësi shërbimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›