Aldo Bare tenton ti shpëtojë burgimit të përjetshëm
Laureta Rryçi
Aldo Bare kërkon gjykim të shkurtuar, duke tentuar kështu t’i shpëtojë burgimit të përjetshëm, dënim që e rrezikon për shkak të akuzave të rënda. Bare, i njohur dhe si Alfred Shkurti, nuk ka qenë i pranishëm në seancën e djeshme gjyqësore, por përfaqësuesi i tij ligjor, Vladimir Meçe, ka depozituar kërkesën para trupit gjykues. Seanca e djeshme është mbyllur shpejt pasi Prokuroria ka kërkuar kohë për të sjellë të gjitha provat që kundërshtojnë argumentet e palës mbrojtëse.
Kërkesa
Avokati Meçe fillimisht u lexoi gjyqtarëve një prokurë që i kishte lëshuar klienti i tij, me anë të së cilës ai kishte të drejtë të bënte çdo kërkesë në emër të Bares. Për këtë arsye, avokati i kërkoi trupit gjykues që të lehtësonte pozicionin e klientit të tij duke pranuar kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar. Me këtë kërkesë, Aldo Bare nuk pranon fajësinë për akuzat që rëndojnë mbi të, por pranon aktet e prokurorisë në gjendjen që janë. Nëse kërkesa e tij pranohet, atëherë Bare do të përfitojë njëlloj si miku i tij Enver Dondollaku, gjykim të shkurtuar dhe maksimumi masa e dënimit për të do të jetë 25 vite burg. I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit të çështjes, duke i kujtuar kolegjit penal se i pandehuri kishte disa seanca që këmbëngulte mbi pavlefshmërinë e akteve. Sipas tij, pikërisht për këtë arsye është e pakuptimtë kjo kërkesë nga ana e tij në këtë moment gjyqësor. Me gjithë këtë argumentim, prokurori i çështjes, për qëndrimin e tij përfundimtar, i kërkoi Gjykatës që t’i jepte kohë duke shpjeguar se do të shprehet në seancën e ardhshme. Ndërkohë, mbi këtë kërkesë kolegji penal do të shprehet vetëm pasi të dëgjojë pretendimet e prokurorit të çështjes.
Pretendimet
Një seancë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën e avokatit të Aldo Bares për pushimin e gjykimit ndaj të akuzuarit si kreu i bandës së Lushnjës, si dhe atë për pavlefshmëri të akteve që ndodhen në dosjen hetimore. Kreu i bandës së Lushnjës akuzohet për krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Europës Perëndimore, për të cilat bashkëpunohet me partnerët tanë perëndimorë. Seanca e radhës do të mbahet javën tjetër.
Trafiku i drogës
Gjykata e Krimeve të Rënda jep nga 11 vite burg për Shullazin dhe Ferhatin
Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me nga 11 vite burg Emiljano Shullazin dhe Ervin Ferhatin. Pas pretencës së prokurorisë dhe fjalës së fundit të avokatëve, kolegji penal i cilësoi të dy të pandehurit fajtorë për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Sipas prokurorisë, dy të pandehurit akuzohen për së paku 6 episode të trafikimit të lëndëve narkotike me rreth 62 kg heroinë të trafikuar nga Turqia në drejtim të Italisë. Episodi i parë ka ndodhur në datën 10 qershor 2004, kur i pandehuri Lutfi Shabani (Ben Çami), në bashkëpunim me Shqiptar Gubetinin, kanë furnizuar me 100 kg substancë përzierëse organizatën e drejtuar nga Erges Ymeraj dhe Landi Baçi. Episodi i dytë është regjistruar në periudhën 16-18 gusht të vitit 2004. Të pandehurit Erges Ymeraj, Landi Baçi, Ervin Ferhati, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin Mehmet dhe me korrierin Nevzdet Haziri, i arrestuar në Itali, kanë trafikuar 10 kg heroinë. Droga është furnizuar nga Turqia dhe përmes Shqipërisë është eksportuar në Milano, Itali. Më 18 shtator 2004, gjatë kontrollit të ushtruar në autoveturën me targa kroate ZG 2879 K, me të cilën ka qenë duke udhëtuar korrieri Nevzdet Haziri, janë gjetur dhe sekuestruar 20 pako me peshë totale 10 kg. Lënda narkotike ishte e destinuar për të pandehurit Ervin Ferhati dhe Emiljano Shullazi.
18 Shkurt 2010