Nishani: “Nuk toleroj më celularë që arrijnë të kenë bandat nëpër burgje”
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, është treguar dje i prerë ndaj të gjithë drejtuesve të burgjeve në vend duke u kujtuar se nuk ka ndër mend të tolerojë më raste kur bandat arrijnë me lehtësi të fusin në qelitë e tyre aparatet celularë. Deklarata e ministrit të Drejtësisë u bë gjatë analizës vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. “Ndodh që personat që janë ngarkuar për sigurinë kthehen në transmetues të aparateve të ndaluara. Nuk do të pranojmë në asnjë rast që grupe kriminale në hetim të kenë një regjim liberal, jashtë urdhëresave që janë në fuqi, të cilët të komunikojnë lirshëm me pjesën tjetër të organizatës kriminale, e cila ndodhet jashtë qelive të burgut në liri. Do të ndërmarrim masa ligjore për të ashpërsuar kontrollin e tyre, brenda kufirit të të drejtave të njeriut. Nuk do të lejohen më këto regjime liberale. Kemi ligje, rregullore dhe urdhëresa, por që nuk zbatohen”, - tha dje ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Sipas ministrit, tani e tutje, për të tilla raste do të ketë masa individuale dhe kolektive. “Nëse futen aparatet celulare në shkelje të rregullores, personat që i lejojnë do të marrin masa individuale, ndërsa administrata, për mosmarrjen e masave, do të ketë përgjegjësinë më të madhe”, - shpjegoi Nishani. Në kuadër edhe të këtij apeli, Nishani kërkoi nga kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të ketë kujdes në përzgjedhjen e personave nën uniformë, si në trajnimin dhe në rekrutimin e tyre. Më pas fjalën e mori drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, i cili, përveçse foli për arritjet, nuk la pa përmendur dhe problemet që ka ky institucion. “Ka vonesa në tendera, nevojë për pajisje me uniforma dhe këpucë policie mbetet një ngarkesë prioritare për faktin e shtimit të numrit të punonjësve të policisë. Në disa institucione mungon ofrimi i asistencës psikologjike për shkak të mospërfshirjes në organikë, si dhe mungesa e stafit mjekësor”, - tha drejtori Dibra.
18 Shkurt 2010