E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga grabitësit me armë të kazinosë

Policia e Kavajës arrestoi dje një prej të dyshuarve për grabitjen me armë të ndodhur nëntë ditë më parë

TIRANË- Grabiti me armë një kazino në Kavajë, përfundon në qeli. Efektivat e komisariatit të policisë së Kavajës arrestuan ditën e djeshme 23-vjeçarin Klodian Xhemalaj, lindur dhe banues në Berat, pasi akuzohet për vjedhje me armë. Ngjarja për të cilën akuzohet i riu ka ndodhur nëntë ditë më parë kur ai në bashkëpunim me 31-vjeçarin Marko Kumaraku kanë vjedhur me armë një kazino në qytetin e Kavajës. Dyshohet se dy persona të armatosur kanë hyrë në ambientet e brendshme të kazinosë dhe nën kërcënimin e armës mundën të merrnin një sasi parash. Pas vjedhjes ata u larguan menjëherë duke iu shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit, e sinjalizuar për ngjarjen, mbërriti pranë kazinosë për të bërë këqyrjen e provave ndërsa nisi hetimet me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Pas hetimeve të para, policia mundi të identifikonte njërin prej autorëve, 31-vjeçarin Marko Kumaraku i cili u shpall në kërkim. Ai ishte larguar për në shtetin grek nga ku pritet dhe ekstradimi i tij. Ndërkohë që në bazë të dëshmisë së punëtorëve të kazinosë, autorët ishin dy ndaj dhe oficerët e policisë u angazhuan për të zbuluar dhe identitetin e personit të dytë. Klodian Xhemalaj u zbulua nga policia dhe u shpall në kërkim. Burime zyrtare nga policia thanë se Xhemalaj ka qenë i proceduar më parë nga policia për kryerjen e një sërë veprash penale si, vjedhje, armëmbajtje pa leje dhe trafikim të lëndëve narkotike. Ndërsa tashmë ndaj tij rëndon akuza e “vjedhjes me armë” e kryer në “bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›