Anija shqiptare rrezikon mbytjen në Greqi
Anijet greke të ndihmuara nga një cisternë italiane kanë shpëtuar marinarët shqiptarë nga mbytja
Një anije shqiptare me 15 persona në bord për pak është mbytur në ujërat Greke të detit Egje. Anija “Pukiani” me flamur shqiptar, e ngarkuar më skrap po i drejtohej portit të Volosit në momentin që ka pësuar një defekt. Rreth dy milje nga porti i Kimit në brigjet lindore te ishullit te Evias, në Peloponez ajo ka ndaluar lundrimin dhe kapiteni ka lajmëruar kapitenerinë e portit për defekt në motora. E gjendur nën mëshirën e fatit anija 500- tonëshe po rrezikonte të mbytej edhe për shkak të detit shtatë ballë. Pas një sinjali SOS të lëshuar rreth orës 10:00 prej shqiptarëve, janë vënë ne alarm autoritetet greke.
Ata kanë nisur menjëherë në drejtim të anijes, rimorkiatore dhe madje edhe helikopter shpëtimi. Në fillim ishte një anije e vogël e marinës tregtare që u përpoq ta mbante të lidhur në një vend anijen shqiptare, por pa rezultat. Erërat e fuqishme nuk lejuan anijen e Marinës të përfundonte misionin e shpëtimit. Rreth orës 11: 20 kanë mbërritur atje një anije peshkimi dhe një cisternë me flamur italian “Petara”, të cilat mundësuan rimorkimin e saj. Në pak minuta grekët dhe italianët stabilizuan situatën e rrezikut në anijen shqiptare, duke e rimorkuar për në portin më të afërt, atë të Kimit, në Peloponez. Nuk ka akoma të dhëna se për llogari të cilës kompani kryhej transporti i skrapit në Greqi. Anija kishte ngarkese skrap dhe bënte transportimin e tij në Greqi. Ajo ishte nisur nga Shqipëria me destinacion ishullin e Poros, Greqi. Në rrugën e kthimit, anija shqiptare ngarkohej me tulla dhe hekur të cilin e importonte në Shqipëri.
Burime zyrtare të portit të Durrësit pohuan se anija e flotës tregtare shqiptare "Pukiani" është nisur nga porti i Durrësit me ngarkesë skrap më datën 24 shtator rreth orës 15.00. Destinacioni i saj ishte porti grak i Tsigelin - it. Në kapitenerinë e portit të Durrësit nuk kishte asnjë njoftim për mbytje madje as për avari të anijes. Por duke qenë se anija po ndiqej në monitor në rrugëtimin e saj për ne destinacion, burime të kapitenerisë së portit thanë se ajo rreth orës 18.00 ka marrë një kthesë në drejtim të një porti afër korsës së lundrimit të saj. “Kthimi drejt portit fqinjë, megjithëse nuk kishin asnjë njoftim nga ekuipazhi, mund të ketë ardhur si pasoje e ndonjë avarie të ndodhur në anije”,- thanë burimet e kapitenerisë së portit të Durrësit. Sipas tyre, në orën 19.00 të ditës së djeshme anija po lundronte drejt portit pritës me rreth pesë milje detare në ore. Anija "Pukiani" është një ndër anijet më të mëdha që ka sot në lundrim flota detare tregtare. Ajo ka një gjatësi rreth 100 m dhe tonazh të përgjithshëm prej 6155 tonësh.