Akuzat në Iran: Të burgosurit, ‘tortura për vdekje’
Opozita në Iran thotë se disa protestues të arrestuar pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale janë torturuar për vdekje në burg, madje burra dhe gra janë përdhunuar. Akuza është ngritur nga Mehdi Karoubi, njëri prej kandidatëve të mundur presidencialë në zgjedhjet e qershorit që shkaktuan protesta të dhunshme. Zyrtarët i kanë hedhur poshtë akuzat e tij, por kanë pranuar se abuzime ka pasur. Sipas Kharoubit, disa prej të arrestuarve gjatë protestave ishin përdhunuar në burg, akuzë kjo e mbështetur nga disa grupe për të drejtat e njeriut. Por akuza u hodh poshtë nga kryetari i Parlamentit, Ali Larijani. Një qendër paraburgimi u mbyll me urdhër të udhëheqësit suprem, Ayatollah Khamenei, për shkak të abuzimeve.