Pranga në Qytetin Studenti të dënuarit për përdhunim
Një i dënuar për përdhunimin e një vajze të mitur është arrestuar nga policia e kryeqytetit dje paradite. Burimet zyrtare bënë të ditur se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bazë të informacioneve operative, mundësuan kapjen në afërsi të Qytetit Studenti të shtetasit në kërkim Andi Zami, 26 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim më datë 17 janar 2008, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës, pasi Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendim të datës 17 dhjetor 2007 e ka dënuar me pesë vjet heqje lirie për veprën penale të "marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14 -18 vjeç". Zami ka përdhunuar të miturën M. M. nga Shkodra më 25 mars të vitit 2004. Mbi të rëndon jo vetëm dënimi prej 5 vitesh, por dhe fshehja pas e krimit, vepër penale e dënueshme me ligj. Sipas policisë, Zami është kapur edhe në vitin 2006, por u la në arrest shtëpie dhe kur u dha vendimi, ai arriti t‘u shpëtonte uniformave blu.