Pranga në kufi agjentit të rremë të Interpolit
Lëvizte me dokumente false policie, arrestohet një 39-vjeçar nga Tirana. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Kukësit bëjnë të ditur se dje në mëngjes është arrestuar shtetasi Ylli Allushi. Ai është ndaluar në Doganën e Morinit, pasi është kthyer mbrapsht nga Dogana e Vërmicës. Ai është prezantuar si efektiv i Interpolit para agjentëve të policisë kufitare të Kosovës dhe ka paraqitur të paktën dy dokumente zyrtare, por që dyshohet se janë të falsifikuara. Policia e Kosovës ka futur në sistem emrin e Allushit dhe ka rezultuar se ai nuk figuron të jetë efektiv i policisë shqiptare, kështu që e kanë kthyer mbrapsht, duke bërë në të njëjtën kohë edhe njoftimin e kolegëve të Morinit. Drejtori i Policisë së Kukësit, Ali Elezi tha për “Shqip” se ishte informuar personalisht nga komandanti i Vërmicës për rastin dhe sapo është kthyer në Morin, 39-vjeçari është ndaluar. “Kishte të paktën dy dokumente të Policisë së Shtetit, të cilat mendojmë se janë të falsifikuara dhe po e shqyrtojmë këtë çështje”, tha Elezi duke shtuar se policia lokale kishte komunikuar edhe me rajonin e policisë Nr.4 në Tiranë për t’u informuar mbi precedentët penalë të këtij personi. Por nga ana tjetër ende nuk bëhen të njohura arsyet se pse i akuzuari i ka përdorur kartat false dhe se çfarë ka dashur të përfitojë. Ai po udhëtonte në një autoveturë tip “Benz”, e cila është bllokuar nga policia deri në sqarimin e çështjes.
#