Të shkurtuarit nga ARMO, një vit pa sigurime shoqërore
“Nga muaji mars i vitit 2009 e deri më tani nuk është kryer pagesa e ish-punonjësve të kompanisë ‘ARMO’ sh.a. Nuk janë paguar as pagat dhe as sigurimet shoqërore e shëndetësore. Si pasojë, llogaria e Zyrës së Punësimit (nipti sekondar nga i cili kalojnë pagesat sipas vendimit të Këshillit të Ministrave) është bllokuar nga dega e tatimeve, gjë e cila ka bërë të pamundur edhe pagesat për llogari të kompanisë ‘Albpetrol’ sh.a.”. Kështu është shprehur drejtori i Zyrës Rajonale të Punës Fier, Kristaq Lena.
Ndërkohë, nga analiza vjetore e Zyrës Rajonale të Punës Fier, të zhvilluar mesditën e së premtes, ka rezultuar se viti 2010 do të pasojë me një rritje të numrit të të papunëve. Sipas drejtorit Lena, mësohet se 3-mujori në vazhdim pritet të ketë rritje të shkurtimit të vendeve të punës, edhe pse kjo rritje nuk do të jetë shumë e ndjeshme. “Pritet të ketë një rritje të numrit të të papunëve të regjistruar te ne, kjo për faktin se disa shoqëri private pritet të zbatojnë shkurtimet e fuqisë punëtore. Këto janë ndërmarrje të vogla, që punojnë me material porositës dhe nuk kanë mundur t’i sigurojnë ato, por dhe në disa shoqëri të mëdha private dhe shtetërore siç është ‘OSSH’-ja dhe ‘Albpetrol’”, ka thënë Lena. Shprehur në shifra, numri i të papunëve që do t’u bashkohet atyre të regjistruar deri tani pa futur këtu “OSSH”-në dhe “Albpetrol”-in, është mbi 100. Aktualisht, në bazë të analizës zyrtarisht në Zyrën Rajonale të Punës Fier janë 18189 të papunë të regjistruar për vitin 2009. Në bazë të kësaj analize është deklaruar se përpjekjet për të nxitur punësimin kanë qenë të shumta si në formën e bashkëpunimit me organizmat e ndryshme joqeveritare, ashtu dhe nëpërmjet shkollave profesionale.
Përveç kësaj, sipas Lenës, dhe pajisja e të gjithë specialistëve të sektorit të shërbimeve me kompjuter ka shkaktuar jo pak pengesë në procesin e mbarëvajtjes së punës, pasi puna në mënyrë manuale jo vetëm që kërkon më shumë kohë, por shpesh herë ka rezultuar joefektive.
#