Pranga personazhit Ujku, qëlloi me armë mbi policinë
Arrestohet brenda Gjykatës për Krimet e Rënda personazhi i njohur Alban Rexha, i njohur me nofkën “Ujku”. Ai akuzohet për përplasjen me armë të disa punonjësve të policisë në fund të muajit dhjetor në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Irfan Tomini”, ku policia arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim Rexhën, personazh i një “Reality Show”. Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, Alban Rexha ka shkuar dje te Krimet e Rënda, bashkë me avokaten Alberta Gega, me qëllim për të takuar prokurorin dhe të vetëdorëzohet. Në ato momente, ai është arrestuar, pasi ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte dhënë masë “arrest me burg” për të. Sipas policisë, arrestimi i tij është bërë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me Enea Gegën, djali i Alberta Gegës, Samet Mejdanin dhe Pajtim Serjanin, kanë qëlluar ndaj policisë. Pikërisht më 29 dhjetor, rreth orës 21:00, në rrugën “Irfan Tomini”, pas shenjës për të ndaluar që u kanë bërë punonjësit e patrullës së përgjithshme të policisë së Komisariatit nr. 2 në Tiranë, ata kanë qëlluar me armë në drejtim të uniformave blu. Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët po tentonin për t’i shpëtuar arrestimit. Fillimisht u arrestuan tre persona, ndërsa dje u kap Rexha.
#