E Diel, 1 Nëntor 2026

I zoti i shtëpisë kap në flagrancë hajdutin

Gjirokastër

I zoti i shtëpisë zgjohet papritur nga gjumi dhe kap në flagrancë brenda shtëpisë hajdutin që kishte hyrë nga dritarja e tualetit. Ngjarja e rrallë ka ndodhur në një familje në lagjen “18 Shtatori” të qytetit të Gjirokastrës dhe pas denoncimit të rastit është bërë arrestimi në flagrancë i 27-vjeçarit Gentian Teleku, lindur dhe banues në Cfakë të Gjirokastër, person i dënuar më parë për veprën penale të “Trafikut të lëndëve narkotike”. Ngjarja është shënuar rreth orës 01:15 të së premtes, kur Teleku është futur për të vjedhur në banesën private të shtetasit H.S., banor i lagjes “18 Shtatori” të Gjirokastrës nëpërmjet dritares së tualetit. Sapo ka hyrë në shtëpi, ai ka shkuar në sallon ku ka vjedhur një çantë dore femrash, një aparat celular, dy ora dore grash, 11 mijë lekë dhe sende të tjera të kushtueshme. Në momentin që po tentonte të dilte nga dritarja e tualetit, ai është kapur nga i zoti i shtëpisë, i cili ka lajmëruar menjëherë policinë, që ka mbërritur shpejt dhe ka bërë arrestimin në flagrancë të 27-vjeçarit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›