E Diel, 1 Nëntor 2026

Marinarët azerbajxhanas vënë në lëvizje diplomacinë

Mision nga Sofja në Tiranë. Ndërhyn edhe Kryqi i Kuq

Diplomacia ndërhyn për t'i dhënë fund gjendjes së dëshpëruar të 14 marinarëve të anijes “Premium”. Situata e anijes ka tërhequr vëmendjen e diplomatëve azerbajxhanas, që nuk i kanë lënë pa mbështetje shtetasit e tyre. Kreu i konsullatës së ambasadës së Azerbajxhanit në Sofje të Bullgarisë ka mbërritur në vendin tonë për të negociuar mbi rastin e shtetasve të vendit të tij, përmes ambasadës bullgare në Tiranë. Ndërkaq Kryqi i Kuq, dy ditë më parë, i ka ardhur në ndihmë përmes një pakete ushqimore higjienike ekuipazhit të bllokuar në anijen turke për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve financiare. Ndihma ka lehtësuar materialisht dhe emocionalisht gjendjen e marinarëve të dërrmuar nga situata në të cilën ndodhen që prej 16 janarit, ndërsa tani përpjekjet po bëhen në nivel diplomatik. Sekretari i Parë i ambasadës azerbajxhanase në Bullgari, Elshan Hasanov, është vendosur në Durrës që nga mesdita e djeshme, së bashku me një përfaqësues tjetër të ambasadës. Gjatë ditës së djeshme deri në mbrëmje, dy diplomatët kanë zhvilluar bisedime intensive me autoritetet e kapitanerisë së Portit Detar të Durrësit, drejtues të kompanisë turke të menaxhimit të anijes, si dhe marinarët e saj. Interesi i shfaqur nga përfaqësia e vendit të tyre në Bullgari dhe ambasadën bullgare në vendin tonë ka kthyer shpresën për një zgjidhje të shpejtë të situatës mes ekuipazhit të anijes me pronar turk “Premium”. Ekuipazhi është i përbërë nga 8 marinarë azerbajxhanas dhe 6 gjeorgjianë. Ata kanë tentuar pak ditë më parë të braktisin anijen, po me ndërhyrjen e Kapitanerisë dhe forcave të policisë portuale janë kthyer sërish në bord. Veprimet e tyre të pashpresa dhe protestuese kanë vënë në lëvizje përfaqësuesit e Azerbajxhanit, vendit nga vjen pjesa më e madhe e ekuipazhit, përfshirë këtu drejtuesit e tij. Problemi i marinarëve duket se po shkon drejt zgjidhjes pasi dhe përfaqësuesi i kompanisë turke të menaxhimit, së cilës i përket anija. Dy sinjalet SOS që lëshoi anija përkatësisht në datat 4 dhe 11 shkurt u konsideruan të papranueshme në bazë të Kodit Detar, i cili përcakton qartë se ky sinjal lëshohet vetëm kur rrezikohet siguria e anijes. Dje, konsulli Elshan Hasanov ka shkuar në bordin e anijes “Premium” dhe ka takuar e biseduar me pjesëtarët e ekuipazhit, duke parë dhe nga afër kushtet në të cilat ata po mbijetojnë në anijen ku kanë mbetur “të burgosur” për shkak të marrëdhënieve financiaro-ekonomike të pambyllura mes kompanisë turke që menaxhon këtë anije dhe agjencisë shqiptare “Poseidon” që i ofronte shërbimet e ndryshme të furnizimit. Kapiteni i Portit të Durrësit, Muharrem Trupja, që ka ndjekur nga afër të gjithë situatën në anije dhe atë të krijuar me marinarët, tha se diplomatët e huaj kanë kërkuar informacion të plotë mbi gjendjen. Gjatë ditës, dy diplomatët kanë takuar edhe përfaqësuesin e kompanisë turke “Mareks Shipping” që gjithashtu ka mbërritur në Durrës për të zgjidhur problemet financiare me agjencinë dhe ato sociale që ka shkaktuar situata te marinarët që nuk janë lënë të braktisin anijen me flamur kamboxhian. Trupja thotë për “Shqip” se kapiteni i anijes dhe kuzhinieri i saj janë lejuar që të dalin për të bërë furnizimet e mundshme me ushqime. Gjatë kësaj periudhe anëtarë të ekuipazhit kanë pasur probleme shëndetësore, ku më i rëndi ishte ai i kryemekanikut Teymurov Teymur nga Azerbajxhani, i cili kaloi një goditje në zemër.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›