Përgjimi, Pinari dhe kreu i SHIU-t zhdukën dosjet e MEICO-s
Tiranë - Inventarët duheshin zhdukur një orë e më parë, ato do ti hiqte nga zyra e MEICO-s një person i quajtur Xhelal, ndërsa operacionin e ideuan Ylli Pinari dhe Hysni Gjergji, ish shefi i MEICO-s dhe ish shefi i Shërbimit Informativ Ushtarak. Gazeta “Albania” zbardh të plotë bisedën mes dy zyrtarëve të kryer në 17 mars 2008, ndërsa përmbajtja është fare e qartë: Po organizohej zhdukja e çdo gjurme të mundshme. Fatkeqësisht këto tentativa vetëm sa zgjeruan “rrjetën e peshkimit” pasi biseda u interceptua dhe prokurorët dinin madje dhe ku ti gjenin materialet e zhdukura provizorisht. Publikimi i kësaj bisede i vë vulën në mënyrë të dokumentuar faktit se zyrtarët shqiptarë i kanë trajtuar dokumentet shtetërore si blloqe personale shënimi duke i zhvendosur, zhdukur apo fshehur vetëm me një telefonatë, procedurat ishin harruar me kohë prej tyre.
“Bevi”
Një tjetër bisedë e botuar dje në “Albania” tregoi se njëmbëdhjetë ditë pas shpërthimit në Gërdec vëllezërit Mihal dhe Kristo Delijorgji kanë pasur në epiqendër të bisedës së tyre vetëm sigurimin e pronave të tyre dhe gjetjen e shkakut të shpërthimit. Në bisedën mes tyre, që boton sot gazeta “Albania”, dy vëllezërit përqendrohen sidomos në disa publikime mediatike, të cilat njoftonin se disa fshatarë të zonës kishin denoncuar në prokurori (një muaj e gjysmë para ngjarjes) rrezikun e shpërthimit të financuar të Gërdecit. Në këtë kontekst delikat dy vëllezërit përmendin dhe nofkën e një personi që ata e quajnë “Bevi” dhe duke u treguar shumë të rezervuar në bisedë dhe thuajse në një kontekst të pakuptueshëm ata përmendin aktivizimin e këtij personi lidhur me këtë çështje.
Sekretarja
Një tjetër element interesant i dalë nga dëshmitë e dhëna në prokurori ka qenë nga ish sekretarja e ish ministrit të drejtësisë Aldo Bumçi. Sekretarja quhet Anjola Agolli dhe, teksa është marrë në pyetje, ajo ka deklaruar se në kohën kur është dërguar faksi, sekretarja tjetër ishte me leje dhe ajo ka mbuluar të dyja turnet. "Ministri Bumçi shkruante me një lloj stilolapsi me bojë, por që shkruante si stilograf. Në rastin konkret shikoj që shënimi ‘për trajtim’ është i ministrit Bumçi. Firma nuk duket si ajo e ministrit Bumçi dhe nuk e identifikoj dot. Më kujtohet kur e kam nisur faksin dhe shënimi i vendosur me shkrim dore te cepi i majtë lart: ‘Për z. Shkëlzen Berisha’, është shkrimi i ministrit të asaj kohe, Aldo Bumçi. Këtë faks e kam nisur unë për te Ministria e Mbrojtjes", - thotë në dëshminë e saj ish-sekretarja e ministrit Aldo Bumçi. "Ministri më udhëzoi që t'ia nisja Ministrisë së Mbrojtjes me faks shkresën që kishte vënë shënimin ‘Shkëlzen Berisha’. Nga Ministria e Mbrojtjes më ka marrë një zë femre dhe më ka thënë se ata nuk kishin asnjë njeri me atë emër. Unë i kam thënë që ma kanë dhënë faksin për ta nisur dhe se unë vetëm po nisja faksin", - thotë në dëshminë e saj Anjola Agolli. Ajo ka vazhduar bisedën me personin tjetër, i cili insistonte se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kishte asnjë Shkëlzen Berisha, por një Shkëlzen Madani.
Biseda Pinari-Hysni Gjergji
(Zhvilluar më 17 mars 2008, dy ditë pas shpërthimit në Gërdec)
Y- nënkupton Ylli Pinarin
H- nënkupton Hysni Gjergjin
Y- Një ide, ça të bëj unë me këto letrat këtu?
H –Futi në një dosje tjetër të veçantë. Ça të thotë vëllai ty...? A do mi lësh mua?
Y-I kam futur në kasafortë
H-Mos kontrollojnë kasafortat or burrë. Kot krijojmë probleme të tilla
Y-Prandaj doja një mendim nga ata. Ose ta marri vetë se ti.
H-A do ta sjell një njeri aty? A të vijë Xhelali?
Y-Po bjere më mirë, t’ia jap Xhelalit edhe...
H-Më mirë kështu flas unë... dhe hapat e mëtejshme
Y-Po duhet ta di unë ça...
H-Absolutisht po, por do flas para se të vijë Xhelali, që sot ka mundësi para se të vijë Xhelali. Po e kam fjalën gjithsesi në çdo rast...
Y- Po ja fus në një dosje pa emër se s’jam tuj bo inventarin e atyre unë, ti mbajnë vet ato
H-Jo, futi të gjitha siç janë. Ne e dimë qëllimin se përse kanë shërbyer dhe kaq. Kjo është e rëndësishme. Ti mos bëj inventar të asaj dosjeje, mos u merr me atë punë. Shiko ato të tuat ti kesh në rregull, po të këtij projekti mos e vri mendjen.
Y-Jo jo se mos..më tepër për merak
H-A ta sjell aty unë?
Y-Tentova ta merrja një çik Arin, por edhe ai nuk më del. Mos ka mbyllur numrin?
H-Pse?
Y-Po ti thoshte ai...
H-Po nuk ka problem se njësoj e kemi aksesin. Hajt...
Pinari kërcënoi me sms Madanin: Qepe gojën se ti nxjerr të palarat
TIRANE - “Të njoftoj se do bëj publike në media bëmat e tua e përdorimin për t’u mbrojtur në prokurori të eprorit tënd trafikant”. Ky është teksti i një mesazhi që Ylli Pinari i ka dërguar në orën 17:00 të 17 marsit të vitit të kaluar, një të njohuri të vet, që mban në përdorim numrin celular 0682041521. Ky mesazh drejt tij është dërguar vetëm pak minuta para se Pinarit t’i shtrëngoheshin në duar prangat dhe të dërgohej në qelitë e paraburgimit, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Vetëm dy orë më vonë, ky mesazh është transkiptuar nga oficerët e policisë gjyqësore, të cilët e kishin vënë në përgjim numrin celular që përdorte Pinari. Vetëm 11 minuta më vonë, Pinari është telefonuar nga funksionari i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, nga numri celular 0682081923 dhe kanë zhvilluar bisedën sqaruese:
Biseda telefonike, Madani ul tonet pas kërcënimit
SH-: Nga emocionet e kisha Yllo, mos çaj kokë
Ylli- Zeno, hë?
Sh:-Ej, a gjete nji gjë që të thashë unë?
Y- Kërkova, po tani jam në Drejtori të Policisë.
Sh- Nuk ka ndonjë tjetër atje që të?
Y- Ku di gjë unë tani, dosja është sekuestru nga këto të prokurorisë.
Sh- Ti nuk mban mend dot gjëra, ok.
Y- Mirë Zeno, hajt”.
14 Maj 2009