E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga oficerit, goditi me grusht kolegun e Rrugores

Arrestohet një oficer policie, pasi ka rrahur një kolegun e tij, i cili ka qenë duke ushtruar detyrën. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë në Tiranë, ndërkohë që arrestimi i oficerit të policisë, i cili punon në seksionin e vrasjeve në Shkodër, është bërë disa orë më vonë, pasi janë sqaruar gjithë rrethanat e ngjarjes. Arrestimi i Arblin Karajt është kryer nga Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës së punonjësit të policisë. Burimet nga SHKB-ja bënë të ditur se ngjarja në fjalë është regjistruar rreth orës 19:00 në rrugën "Sami Frashëri". Oficeri i policisë, Arblin Karaj, 24 vjeç, me arsim të lartë policor, i cili banon në Tiranë dhe punon specialist i Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, sapo ishte kthyer nga puna dhe po udhëtonte me mjetin e tij. Në atë kohë, teksa ai udhëtonte me mjet, punonjësi i policisë rrugore, Gëzim Bilçari, 48 vjeç, i ka nxjerrë tabelën për të ndaluar, pa e njohur nëse ishte oficer policie. Kjo ka mjaftuar për Karajn, i cili është nevrikosur dhe ka filluar të shkëmbejë fjalë fyese me policin rrugor. Më pas, debati është ashpërsuar dhe oficeri e ka goditur punonjësin e policisë me grushte. Në atë kohë, polici rrugor ka njoftuar shërbimet dhe të dy janë shoqëruar në ambientet policore të Drejtorisë së Tiranës. Aty janë marrë në pyetje për orë të tëra dhe në fund është vendosur arrestimi i oficerit të policisë. Dy ditë më parë, një tjetër efektiv policie u arrestua, pasi dyshohet si i implikuar në një pengmarrje. Ai, në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte marrë peng një person, i cili u kishte borxh njëmijë euro dhe nuk ua kishte kthyer. Gjatë pengmarrjes, pengut i prenë edhe gishtat e dorës.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›