E Shtunë, 31 Tetor 2026

Velipojë, kreu i komunës mohon mbivendosjen e pronave

Pas protestës së zhvilluar pak ditë më parë nga disa banorë të Komunës së Velipojës në lidhje me mbivendosjen e titujve të pronësisë, reagon kryetari i komunës, Nikoll Marku. Ai është shprehur se mbivendosja e titujve të pronësisë është bërë në vitin 2001, në një periudhë kur ai nuk e mbante postin e kreut të komunës. "Në kohën kur kam marr detyrën si kryetar komune në Velipojë në vitin 2007, nuk është bërë asnjë mbivendosje e pronës dhe për çdo parregullsi që mund të ketë bërë ndonjë person do të përballet me gjykatën", ka thënë Marku. Ndërsa në lidhje me problemin e përmbytjeve të shkaktuara në zonën e Velipojës, kryetari i komunës u shpreh se është ndërhyrë për normalizimin e situatës, por reshjet kanë qenë me intensitet të lartë. Reagimi i kreut të komunës erdhi pas protestës paqësore të pak ditëve më parë që organizuan disa banorë të fshatrave të kësaj komune, në lidhje me problemin e mbivendosjes së titujve të pronësisë. Sipas banorëve, rastet e identifikimit të mbivendosjes së pronave shtohen çdo ditë. Në zonën e Velipojës, rreth 240 familje kanë probleme pronësie. Duke folur për gazetën "Shqip", Mark Vukaj, një prej banorëve të Velipojës shprehet: "Fakti që në zonën turistike ka mbi 200 familje që kanë probleme me mbivendosjen e pronave, flet qartë për abuzimet që janë bërë në zonën e Velipojës dhe për rrezikun që njerëzit të shkojnë në vetëgjyqësi. Ndaj shteti duhet të ndërhyjë sa më shpejt për të zgjidhur situatën". Nga deklarimet e banorëve mësohet se mbivendosjet e pronave janë në fshatin Pulaj-Plazh, Sektor Gomsiqe-Qendër, Reç i Ri etj., zona këto të lakmuara për turizëm. Problemi në këto zona qëndron në faktin se për ndarjen e tokave nuk është zbatuar një ligj i vetëm. Ka vërtetime pronësie të dhëna sipas Ligjit nr. 7501, por ka dhe tapi të vjetra. Konfliktet për pronën në zonën e Velipojës gjatë viteve të fundit kanë pasur rritje të ndjeshme, kur vitin e fundit janë shënuar 32 konflikte që me motiv pronën dhe për fat të mirë nuk kanë përfunduar në konflikte të rënda, por që nuk kanë marrë zgjidhje përfundimtare. Ndërkohë shqetësim për shumë fshatra në Velipojë është dhe përmbytja, që shkaktohet nga reshjet e shirave. Javët e fundit rreth 200 hektarë tokë ka qëndruar e mbuluar në ujë për disa ditë, për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese. Kjo situatë ka shkaktuar dëme të mëdha në të mbjellat e fermerëve të zonës, duke u shkaktuar miliona lekë dëme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›