Pranga policit. Arratiset në Greqi vrasësi i biznesmenit Ilir Rexhepi

Viktima Ilir Rexhepi, i vrarë në mbrëmjen e 30 dhjetorit
I dyshuari për ekzekutimin e biznesmenit Ilir Rexhepi në Elbasan kalon në Kapshticë me ndihmën e policit.
Vrasësi i biznesmenit Ilir Rexhepi kalon kufirin pa i hyrë gjemb në këmbë. Bledar Muça, i dyshuari për ekzekutimin e 41-vjeçarit nga Elbasani mbrëmjen e 30 dhjetorit, ka kaluar mbrëmjen e së martës nga pika kufitare e Kapshticës me pasaportën e tij. Efektivi i policisë kufitare, sipas hetimeve të kryera nga SHKB-ja, e ka kaluar lirisht të shumëkërkuarin që prej 3 ditësh, ndonëse në sistem rezultonte me shenjën Alert. I vetmi në pranga është polici Ardian Çekiçi, 45 vjeç nga Pogradeci, veprimi i të cilit u zbulua vetëm 3 orë pasi lejoi kalimin e të kërkuarit për vrasjen e Rexhepit. Muça është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi kaloi kufirin duke dalë në shtetin grek.
Vrasja e biznesmenit
Sipas grupit hetimor, pronari i një shoqërie rojesh private, Ilir Rexhepi, është ekzekutuar për hakmarrje. Të dhënat e Policisë dhe Prokurorisë së Elbasanit flasin për një krim që lidhet me vrasjen e të vëllait 3 vjet më parë, Roland Rexhepi, ish-agjent i Antidrogës. Ndonëse janë të rezervuar për të dhënë në detaje dyshimet për pistën e ngritur, nisur nga vrasja e vëllait të biznesmenit dhe dëshmitë e mbledhura në vendin e krimit, dyshohet se autori i vrasjes së fundit është Bledar Muça. Eliminimi i Ilir Rexhepit u bë një natë para ndërrimit të viteve, në qendër të qytetit, shumë pranë vendit të quajtur Ish-atelieja. Dy plumba, një në krah dhe

I vëllai, Roland Rexhepi (Doda), ekzekutuar në vitin 2009
një në zemër, i morën jetën 41-vjeçarit. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, kur babai i dy fëmijëve sapo doli nga një lokal dhe po hipte në makinën e tij tip Benz, me targa të Tiranës. Autori i vrasjes përfitoi nga terreni i errët në këtë zonë dhe iu afrua mjetit ku ndodhej viktima duke e qëlluar. Menjëherë uniformat blu nisën hetimet, duke shoqëruar në Komisariatin e Policisë më shumë se 20 veta, për të bërë të mundur identifikimin e autorit të vrasjes. Prokuroria, në bazë të dhënave të marra nga Policia, deklaron se vrasja e Ilir Rexhepit ka ndodhur për motive hakmarrjeje. Prokurori i rrethit, Elvin Gogaj, deklaron për Panorama se: Hakmarrja është e vetmja pistë ku edhe jemi fokusuar në hetimet tona, pasi Ilir Rexhepi njihej në qytet si person pa precedentë dhe se asnjëherë nuk ka pasur ndaj tij ndonjë proces. Aktualisht, në Gjykatën e Elbasanit pritej të jepej vendimi për autorët e akuzuar për vrasjen e Roland Rexhepit, kur iu mor jeta vëllait të ish-agjentit të antidrogës.
Arratia me leje e autorit
Në bazë të gjurmëve dhe dëshmive të siguruara mbi vrasjen e Ilir Rexhepit, Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Elbasanit, në datën 31 janar shpallën në kërkim ndërkombëtar autorin e dyshuar. Në të gjitha sistemet kompjuterike të pikave doganore, përfshirë edhe Aeroportin e Rinasit, Bledar Muça u vendos në listën e personave që duheshin ndalur dhe dorëzuar Policisë. Por, gjithçka është dekonspiruar në pikën kufitare të Kapshticës. Në orën 22:00, i dyshuari për krimin ka dorëzuar pasaportën në kufi. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka pikasur anomali në sistemin TIMS. Pas sinjaleve të marra për diçka të parregullt në pikën kufitare të Kapshticës, nga Tirana është kontrolluar në sistem dhe është mësuar se veprimet e dyshimta ishin kryer nga efektivi i Policisë Ardian Çekiçi, në një nga sportelet e pikës kufitare të Kapshticës. Nga verifikimet e specialistëve është mësuar se oficerit të kufirit, Ardian Çekiçi, sistemi TIMS i kishte dhënë sinjalin Alert-I kërkuar në momentin kur kishte futur në sistem pasaportën e Bledar Muçës. Megjithatë, polici kishte dhënë komandën negative dhe i dyshuari për vrasje kishte kaluar pa u shqetësuar në Greqi. Menjëherë oficeri i policisë është vënë në pranga, ndërsa hetimi tashmë është shtrirë tek motivet përse ai ka lejuar kalimin e personit të kërkuar në kufi.
Oficeri i arrestuar, asnjë shpjegim
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar në flagrancë mëngjesin e së mërkurës shtetasin Ardian Çekiçi, 45 vjeç, punonjës i Policisë së pikës së kalimit kufitar Kapshticë. Ndaj tij rëndon akuza e përkrahjes së autorit të krimit. Çekiçi nuk ka pranuar të flasë para ekspertëve, ndërsa sipas Policisë, edhe pse është verifikuar që në sistemin e kompjuterit e në pasaportën e paraqitur nga i dyshuari ka dalë pulla e kuqe, doganieri e ka lejuar atë të kalojë.
Vrasja e agjentit të Antidrogës
Ilir Rexhepi, i vrarë një natë para ndërrimit të viteve, është vëllai i ish-agjentit të Antidrogës, Roland Rexhepi. Ky i fundit, i njohur me nofkën Doda, u ekzekutua me armë zjarri në muajin korrik të vitit 2009, për motive që dyshohet se lidhen me detyrën që ai mbante. Policia në këtë ngjarje bëri të mundur arrestimin e dy shtetasve, Armand Llakaj, 36 vjeç dhe Marjus Tafa, 26 vjeç. Ndaj tyre Prokuroria ka dhënë pretencën me 48 vjet burg, ndonëse ata nuk e kanë pranuar krimin. Gjyqi ndaj tyre, i caktuar dy ditë para vrasjes së Ilir Rexhepit, u shty për mungesë avokatësh. Pritet vendimi i gjykatës për ta, ndërsa për hetuesit vrasjet e dy vëllezërve kanë lidhje me njëri-tjetrin.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU