E Diel, 1 Nëntor 2026

Pezë, banori padi komunës: Më vodhi pronën 300 metra



TIRANE - Një banor i fshatit Pezë të Tiranës ka kallëzuar në polici Komunën e kësaj zone, me pretendimin se ky institucion i ka tjetërsuar pronën e tij. Kallëzimi është bërë në Komisariatin nr.6 të policisë, nga Asllan Spahiu, banor i Komunës Pezë. Sipas tij, punonjësit e komunës, i kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, duke i tjetërsuar pronat që ai ka në fshat pa i dhënë dijeni të zotit të tokës. Spahiu ka zbuluar mbivendosjen vetëm disa ditë më parë, kur po plotësonte disa dokumente me një person tjetër, i cili do blinte 300 metra katrorë në truallin e tij. Pikërisht gjatë përgatitjes së dokumentacionit, Asllan Spahiu ka hasur problemet me tokën e tij, kur ka zbuluar se trualli ishte i regjistruar në një emër tjetër, të cilin ai nuk e ka përmendur në kallëzimin që ka bërë në polici. Pronari i tokës pretendon se dokumentacioni është ndryshuar nga punonjësit e komunës, që sipas tij i kanë falsifikuar shkresat, pasi ai disponon edhe tapinë për truallin e tij. Burime nga policia thanë se Asllan Spahiu ka kërkuar që të nisin hetimet ndaj Komunës Pezë, për të zbuluar më pas personat përgjegjës që i kanë "hequr" pronësinë e trojeve të tij, duke ia kaluar një pale të tretë. Kallëzuesi kërkon në polici që dikush në komunë të mbajë përgjegjësi për tjetërsimin e pronave që atij i takojnë në bazë të ligjit 7051. Mësohet se policia ka nisur verifikimet menjëherë pas kallëzimit të Spahiut për të hetuar dokumentacionin që ka paraqitur ai në komisariat, me atë që ekziston në të vërtetë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Burimet sqarojnë se mund të bëhet fjalë për një rast falsifikimi dokumentesh të pronësisë, të ndihmuar nga ndonjë punonjës i Komunës Pezë, apo privatisht nga personi që rezulton tashmë "pronar" i truallit prej disa hektarësh të Asllan Spahiut. Policia sqaroi se verifikimi do të fillojë nga specialisti i Mbrojtjes dhe i Administrimit të Tokës në Komunë, duke qenë se është ai përgjegjës direkt për depozitimin dhe konfirmimin në Hipotekë. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›